Në Kosovë, fillon viti shkollor, ne një muaj vonesë

Prishtinë, 3 tetor 2022 – Qindra mijëra nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës filluan sot vitin e ri shkollor me një muaj vonesë, meqë greva e mësimdhënësve pamundësoi fillimin e tij me një shtator.

Fillimi i procesit mësimor pasoi vendimin e sindikatës së arsimit që të pezullojë grevën e përgjithshme deri në muajin janar të vitit të ardhshëm. Greva kishte nisur më 25 gusht të këtij viti.

Sindikata e arsimit tha se pezullimi i grevës u bë për të mos thelluar dëmet ne procesin mësimor, por edhe për t’i dhënë kohë dialogut me qeverinë për realizimin e kërkesave të sindikatave.

Punonjësit e arsimit u hodhën në grevë me kërkesën për 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti, në kuadër të një pakoje për përballjen me inflacionin.

Qeveria e Kosovës paralajmëroi më herët se grevistët nuk do të paguhen për muajin shtator, meqë nuk kanë punuar.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës i tha Zërit të Amerikës se për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë realizuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre dhe e sipas tij paga mujore është kompensim për punën. Ai tha se në rast të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për greva.

Përfaqësues të sindikatës së arsimit thanë sot se ende nuk i kanë marr pagat për muajin shtator ndërsa paralajmëruan tensionim të situatës në rast se ato nuk paguhen deri më 5 tetor.

Paralajmërimi për mos dhënien e pagave ka ngjallur reagime të opozitës dhe Këshillit të Prindërve të Kosovës të cilët po i bëjnë thirrje qeverisë që të shmang nje krizë tjetër të mundshme në fushën e arsimit.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)