Në Kosovë, jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

Prishtinë, 6 tetor 2022 – Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, konfirmoi të enjten se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, por nuk i shpjegoi arsyet e dorëheqjes.

Mediat në Kosovë e publikuan letrën e dorëheqjes së ministrit Latifi drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informojë se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës që nga sot me datën 6 tetor, 2022”, thuhet në letër.

Ministri Rifat Latifi është kritikuar për mungesë të rezultateve në sektorin e shëndetësisë.

Më 14 shtator, qeveria e Kosovës themeloi Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi që ka për qëllim bashkërendimin e politikave dhe përmirësimin e shërbimeve në shëndetësi, që mbetet një nga sektorët me gjendjen më të rëndë për shkak të mungesës së investimeve dhe largimit të mjekëve nga Kosova. Ky komision udhëhiqet nga vetë kryeministri Albin Kurti, gjë që është parë si provë e pakënaqësisë së tij me punën e ministrit Latifi.

Puna e Latifit është kritikuar edhe nga opozita.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, e kritikoi qeverinë për mungesë të rezultateve në sektorin e shëndetësisë. Ai ka thënë se qeveria aktuale nuk mund t’i fajësojë qeveritë paraprake për dështimet e saj.

“Një vit e gjysmë qeveri, në pritje të ministrit të 3-të në shëndetësi. Vetëm 5% investime kapitale të realizuara sivjet. Fajet? 20 vjet? Paaftësi e papërgjegjësi!”, shkroi zoti Abdixhiku.

Rifat Latifi është kirurg i respektuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është i njohur për arritjet e tij në fushën e mjekësisë dhe tele-mjekësisë. 

(r.m.)