Në Kosovë konfirmohen dy raste me variantin “Delta” të koronavirusit

Prishtinë, 29 qershor 2021 – Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka konfirmuar të martën dy raste me variantin “Delta” të koronavirusit.

Sipas Ministrisë, mostrat janë testuar në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin.

“Të dyja rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Varianti “Delta” i koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Indi, është klasifikuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një variant veçohet si i tillë kur është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave.

Zyrtarë të OBSH-së, kanë konfirmuar se vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit janë efektive kundër variantit “Delta”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën gjashtë raste të infektimit me koronavirus, pas testimit të 1.933 mostrave.

Gjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107.749 pacientë me koronavirus.

Prej tyre 2,258 kanë vdekur.

Kosova tashmë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit. Deri më tani janë dhënë 170.098 doza të vaksinës.

(r.m.)