Në Kosovë, një i vdekur dhe 110 të prekur nga koronavirusi

Prishtinë, 3 gusht 2021 – Në Kosovë ka marrë përsëri përmasa shqetësuese përhapja e pandemisë së koronavirusit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) bëri të ditur se një person ka vdekur dhe 110 të tjerë janë prekur nga koronavirusi, gjatë 24 orëve të fundit. Viktima është një qytetar nga Podujeva.

IKSHPK njoftoi se aktualishtnë Kosovë janë active 689 raste pozitive me koronavirus, ndërsa nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës u njoftua se 111 pacientë meCOVID-19 janë duke u trajtuar aktualisht në klinikat e kësaj qendre dhe në spitalet trajonale.

Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë kabërë të ditur se rreth 90 për qind e rasteve të reja pozitive në Kosovë janë të infektuar me variantin “Delta” të koronavirusit.

Ekspertët paralajmërojnë se ky variant është shumë më përhapës dhe bëjnë thirrje për masa mbrojtëse, mbi të gjitha për vaksinim.

Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Aktualisht qytetarët mund të zgjedhin ndërmjet vaksinave të dy prodhuesve: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 17,322 persona.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 155.907, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna ka shkuar në 445.650.

Me dinamikën aktuale, duket i vështirë realizimin i objektivit të qeverisë që deri në vjeshtë të vaksinohen 60 për qind e popullatës së Kosovës.

(r.m.)