Në Kosovë, opozita kërkon debat parlamentar për bisedimet me Serbinë

Prishtinë, 21 shkurt 2022 – Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të enjten për të diskutuar çështjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Seanca është thirrur me kërkesën e opozitës e cila akuzoi qeverinë për mos transparencë në një kohë kur vendet kryesore perëndimore kanë shtuar angazhimet për ripëtëritjen e bisedimeve.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se bisedimet janë një nga temat më të rëndësishme dhe të ndjeshme me të cilën përballet Kosova dhe se në këtë periudhë duhet të qartësohen zërat dhe qasja e Kosovës kundrejt tyre.

“Një proces i cili në anën tjetër ka mobilizuar faktorin ndërkombëtar, tani më kemi përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës zotin Escobar, kemi përfaqësuesin e Britanisë së Madhe, kemi ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian edhe Gjermania ka emëruar një përfaqësues të tyre ndërsa Kosova po shkon disi në skaje, duke u marr me tema të vogla pa e adresu çështjen kryesore”, tha ai.

“Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht shumë jo transparente në këtë proces dhe sot ne si deputetë ashtu edhe qytetarët shumë pak dinë realisht për angazhimin e qeverisë në këtë drejtim”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri.

Të martën në Bruksel pritet të mbahet takimi i shefave të grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, që shihet si pjesë e përpjekjeve për të siguruar një takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Takimi i fundit i nivelit të lartë është mbajtur në korrik të vitit të kaluar. Zyrtarët evropian shpresojnë që ata të takohen gjatë muajit të ardhshëm, ndonëse pritjet për ndonjë përparim janë të pakta, meqë Serbia mban zgjedhjet presidenciale e parlamentare në fillim të muajit prill.

Rifillimi i bisedimeve është pjesë e përpjekjeve përfaqësuesve të posaçëm të vendeve perëndimore që po bëjnë trysni për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet e fundit në proceset integruese.

(Zëri i Amerikës)