Në Kosovë parashikohet që deri në fund të vitit të vaksinohet 70% e popullatës

Prishtinë, 30 mars 2021 – Të martën në Kosovë ka filluar vaksinimi i punëtorëve të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Vaksinimi po bëhet në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.

Shefja për imunizim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Edita Goranci-Haxhiu, u tha gazetarëve se që nga dita e enjte (1 prill) vaksinimi kundër COVID-19 do të fillojë edhe në komuna tjera të vendit.

“Sipas planit shtetëror të imunizimit janë planifikuar tri faza të vaksinimit, deri 70% e popullatës parashihet të vaksinohet deri në fund të vitit, varësisht prej dërgesave të vaksinave që do t’i sigurojmë”, tha Goranci-Haxhiu, duke shtuar se 280 punëtorë do të angazhohen në ekipet e vaksinimit në tërë Kosovën.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, tha se vaksinimi do të ndihmojë në uljen e shkallës së të infektuarve, por kjo do të marrë kohë.

“Jemi në situatë të rëndë, mbi 900 pacientë po trajtohen, 37 në gjendje kritike dhe rreth 700 me oksigjeno terapi”, tha Krasniqi.

Kosova ka pranuar të dielën 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.

Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi në imunizim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

Në Federatën e Sindikalistëve të Shëndetësisë në Kosovë kanë shprehur më herët dyshime se vaksinimi i qytetarëve do të mund të realizohet në mënyrë të drejtë, sidomos kur është fjala për personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.

Kryetari i kësaj Federate, Blerim Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka statistika të detajuara shëndetësore për grupet e rrezikuara, pasi, sipas tij, Sistemi i Informimit Shëndetësor nuk funksionin siç duhet.

Sistemi i Informimit Shëndetësor bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.

Në një deklartarë dërguar Radios Evropa e Lirë më 22 mars nga Zyra për Informim e Ministrisë se Shëndetësisë kanë pranuar se Sistemi i Informimit Shëndetësor nuk është krejtësisht funksional, por, siç kanë thënë, ka disa module të tij, që gjenerojnë të dhëna të ndryshme për shëndetësinë.

(REL)

Comment

*