Në Kosovë, themelohet Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë

Prishtinë, 30 gusht 2021 – Qeveria e Kosovës ka themeluar Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë. Komiteti ka në përbërje mbi 25 institucione të Kosovës, të cilat përfaqësohen me nga një anëtar.

Ky vendim i Qeverisë, i datës 30 gusht, vjen një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i cili diskutoi masat që duhet ndërmarrë për shkak të numrit të lartë të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19.

Kryesues i këtij Komiteti është ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me të gjitha njësitë tjera, sipas një komunikate të qeverisë, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për menaxhimin dhe kontrollin e pandemisë COVID-19.

Kosova po përballet më një numër të lartë të vdekjeve më COVID-19 dhe rritje të rasteve të reja me koronavirus.

Të hënën (30 gusht) në Kosovë janë regjistruar edhe 20 viktima si pasojë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët paraprake janë regjistruar 932 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.

Rastet e reja dalin pas testimit të 7.384 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.

Nga numri i përgjithshëm i të testuarve, mbi 12 për qind kanë dalë pozitivë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha më 30 gusht se në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.250 pacientë. Prej tyre 1.142 janë të konfirmuar me koronavirus.

Sipas raportit ditor, 60 pacientë janë në kujdes intensiv, ndërkaq 1.062 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Për shkak të kësaj situate, Këshilli i Bashkimit Evropian ka konfirmuar heqjen e Kosovës nga lista e vendeve të sigurta, ndaj të cilave nuk ka pasur kufizime për udhëtime në BE për shkak të pandemisë.

(REL)