Në Kosovë, edhe një i vdekur e 888 të prekur nga COVID-19

Prishtinë, 11 gusht 2021 – Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar sot  se gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar edhe një viktimë nga COVID-19. Viktima është nga komuna e Gjilanit.

Në të njëjtën kohë janë regjistruar 888 raste të reja pozitive. Më së shumti të infektuar janë regjistruar në Prishtinë, 182 raste. Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç, 237 persona.

Në raportin e ministrisë njoftohet se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 38 pacientë të sëmurë nga COVID-19, ndërsa 3.489 raste janë aktive.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit me COVID-19, në Kosovë Janë regjistruar 111.644 pacientë të infektuar nga ky virus. Prej tyre 2,274 kanë vdekur.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njoftoi se në klinikat ku trajtohen pacientët me COVID-19 dhe në spitalet rajonale janë duke u trajtuar 136 pacientë me koronavirus. Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 117 të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se interesimi i qytetarëve për imunizim është rritur ditët e fundit, pas rritjes së shifrave të të infektuarve. Qendra e vaksinimit në Prishtinë bëri të ditur se të gjitha terminet e vaksinimit janë rezervuar deri më 19 gusht.

(r.m.)