Në Kuvendin e Shqipërisë depozitohet projektrezolutë kundër raportit të Dick Martyt

Tiranë, 18 korrik 2022 – Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë përmes së cilës kërkohet rishikimi i Rezolutës 1782 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila bazohet në raportin të Dick Martyt për krimet e luftës në Kosovë.

“Konstatojmë se pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty (Doc. 12462, datë 7 janar 2011), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE, ‘për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë’, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e projektrezolutës.

“Kjo projekt-Rezolutë, për të cilën besojmë se do të kemi mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, rikonfimon edhe një herë sikurse në rastet e mëparshme, vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën”, thuhet në arsyetim.

Arsyetimi i projektrezolutës:

Lënda: Depozitohet propozimi për një “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”

Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë,

Në vijim të qëndrimeve tona të kahershme për vlerësimin e legjitimitetit të luftës heroike e çlirimtare të UÇK dhe duke rishprehur qëndrimin tonë se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë, nga ana tjetër.

Bazuar në parimin se çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor dhe se nuk mund të ketë çështje pafundësisht në hetim por dhe se çdo proces do duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë focën të pajtohen e jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës.

Konstatojmë se pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty (Doc. 12462, datë 7 janar 2011), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE, “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë”, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Për këtë qëllim propozojmë këtë “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, ku i kërkojmë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (Follow up Report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

Kjo projekt-Rezolutë, për të cilën besojmë se do të kemi mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, rikonfimon edhe një herë sikurse në rastet e mëparshme, vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

Taulant BALLA

Mimi KODHELI

Klotilda BUSHKA

Etilda GJONAJ

Blendi KLOSI

Etjen XHAFAJ

Petro KOCI

Hatixhe KONOMI

Bardhyl KOLLCAKU

Ilir PENDAVINJI

Arben PËLLUMBI

(Panorama.al)