Në linjën Tiranë-Washington, shfaqet Ahmet Zogu

Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane – Pjesa e tetë

 

Ndërsa Fan Noli vendimin kryeministror për t’i vënë qytetit të Shën Gjinit emrin Uillson arriti t’ua shpërndajë prefekturave që në gusht 1924, ai nuk ia doli dot ta regjistronte në ndonjë përmbledhje apo buletin qeveritar. Gjashtë muajt e qeverimit të tij ishin sa “një hap e mbyll sytë”.
E kreu këtë punë Ahmet Zogu, njeriu i ngulmimit të gjatë. Një vit më pas nga vënia në dijeni e prefekturave Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Shqiptare botoi “Librin e Qarkoreve, 1923, 1924, 1925″. Dekreti për emrin e ri të qytetit të lashtë të Shën Gjinit ndodhej atje.
Zogu me këtë gjest kuptimplotë konfirmoi se qe plotësisht dakord me çfarë kishte vendosur rivali i tij. Me gjithë mospërputhjet e stërmëdha dhe kurset politike shumë të papajtueshme, për këtë gjë qenë moskundërshtuesë.
Kështu para historisë së kombit të tyre u bënë të së njëjtës mendje Faik Konica, Fan Noli dhe Ahmet Zogu.
Këta ishin edhe tre më të mëdhenjtë e kohës, tre liderët e saj.
Atë kohë nëpër kontinentin evropian ende nuk gjeje dot sheshe me emrin e presidentit idealist amerikan, as buste në vende të dukshme, ca më pak të shihje monumente të tij. Megjithatë vendi i vogël i shqiptarëve, saktësisht gjysma e trojeve dhe e banorëve të vet etnikë, sipas frymës gjithëpopullore, dëshirës së parlamentit dhe dy qeverive kundërshtare, ia kishte dhënë një qyteti.
Shën Gjini qe vërtet me shumë pak banorë, frymë njerëzore që mund t’i numëroje me gishtat e dorës, por ishte port detar. Madje i ndodhur në një drejtim gjeostrategjik të rëndësishëm të Ballkanit. Jugosllavët vetëm pak vite më parë patën projektuar dhe akoma ngulnin këmbë në planin e tyre që në Shën Gjin të fillonte një udhe të hekurt, e cila do të hynte në brendësi të mbretërisë së sllavëve të jugut për t’i siguruar asaj, me atë dalje në det, një korridor jetik për zhvillimin e tregtisë në Adriatik e Jon. Beogradi i premtonte vetë të gjitha shpenzimet.
Me fillesë Shën Gjinin rilindësit që dekada më parë kishin hedhur në projekt gjurmën e një hekurudhe tjetër, e cila duke kaluar paralel me lumin e Drinit do të vraponte drejt qyteteve kryesore të Kosovës, duke u bërë kështu rruga e mbajtjes së bashkuar të shqiptarëve.
Kur Faik Konica që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishte propozuar qeverisë së Tiranës që emrin e Uillsonit ta mbante ose Saranda ose Shën Gjini kishte parasysh se edhe në jug, me kryedalje portin e Vlorës dhe me një krah lidhjeje edhe Sarandën, italianët patën bërë gati ndërtimin e një udhe tjetër të hekurt, e cila do të ngutej drejt Selanikut. Grekët po ashtu një projekt të përafërt e mbanin gjysmë të hapur nëpër sirtarët e zyrave të tyre.
Qytetet-porte nuk janë të zakonshëm, madje edhe sikur të kenë vetëm një skelë të vogël sa për dy barka. Ata janë mijëravjeçarë, të gjallëruar nga jeta që në agimet e saj. Prandaj edhe emrat i kanë të vjetër, të ngulitur fort jo vetëm në kujtesën e vendasve, por edhe në të tëra kohërat, në të gjitha hartat e detarëve apo gjeneralëve të luftës. Në rast se një qytet i tillë mol do të merrte cilësimin Uillson dhe do t’ia dilte ta mbante atëherë emri i presidentit amerikan do të përhapej gjithkund nëpër gadishullin ballkanik, në atë Apenin, pse jo edhe akoma më tej. Para emrit të një qyteti port një monument, edhe disa dhjetëra metra lart të ngrihej, do të dukej një kurrgjë.
Për Faik Konicën që e ideoi, por edhe për dy marrëveshësit e tjerë, Nolin dhe Zogun, ky qytet Uillson po ashtu do të ishte për shqiptarët një emër fatsjellës, sidomos ato çaste kur mezi i kishin ruajtur nga copëtimi përfundimtar gjysmat e trojeve dhe të pasurive natyrore. Qyteti Uillson do të qe perëndia e tyre mbrojtëse. Të gjitha qeveritë arrogante përreth Shqipërisë do të bënin kujdes ta sulmonin apo dhunonin. Atje ishte shenja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndodhej pothuaj territori i saj.
Sigurisht do të qe saktësisht kështu në rast se ai vendim qeveritar nolist i 21 gushtit 1924 dhe i rizyrtarizuar nga kabineti i presidentit-kryeministër Ahmet Zogu, do të vihej në jetë. Kjo donte të thoshte se emri antik Shën Gjin do të niste të fikej ngadalë dhe t’i lëshonte qetësisht vend emrit të ri.
Por nuk ndodhi kështu dhe s’kishte si ngjante ndryshe. Projekti i asaj dëshire të mirë, por edhe disi truku politik, qe i dështuar që në fillesë. Faik Konica, Fan Noli dhe bashkë me ta ato kohë edhe kundërshtari i tyre i rreptë Ahmet Zogu do të kishin pasur sukses në rast se këtë emër do t’ia blatonin themeleve të ndonjë qyteti të ri. Udrou Uillsoni ishte tepër i madh në historinë e botës, por në atë të shqiptarëve më tepër se histori qe nderim. Në Varshavë presidentit amerikan, të çmuar prej polakëve për të njëjtin përkushtim që i bëri edhe sovranitetit të shqiptarëve, ka me emrin e tij një shesh. Aty mbijeton i pa cenueshëm nga kohërat, për vendasit është bërë i pandërrueshëm. Me emrin Uillson në Tiranë pas rënies së diktaturës po ashtu ka të emërtuar një shesh. Prania e tij gjendet kudo në tashmë kujtesën moderne të njerëzimit, në internet. Dhe kjo ndodh për një arsye mjaft të thjeshtë: me dhjetëra dyqane dhe bare të tij bëjnë publik non stop ofertat e mallrave dhe të shërbimeve të tyre.
Porse qytet Uillson nuk gjendet jo vetëm në hartat shqiptare të këtij dymijë vjeçari, por edhe në gjysmëshekullin e diktaturës. E duke qenë se ndonjë shkruesi i ka mbetur merak ta akuzojë regjimin e mbrapshtë patologjikisht antiamerikan të asaj kohe si fajtorin kryesor për mosvënien në jetë të dëshirës së bekuar të bashkëkombësve të tyre të mesviteve njëzetë, informojmë se as Ahmet Zogu, pushtet-ushtrues shumë gjurmëlënës dhe i zotuar si mik i palëkundur i amerikanëve, nuk e kreu këtë mision.
Më së pari sepse ai qe i pamundur. Shën Gjini thirrej Shëngjin e ashtu do të mbetej. Nuk ishte qytezë pa emër. Propozimi dashamirës qe jo racional, pse jo edhe propagandistik. Afro një gjysmë-shekulli e mbajti diktatura emrin e Kuçovës nën pallton ushtarake të Stalinit. Qyteti me emrin e kryebolshevikut sovjetik u shkrua në të gjitha shkresat, hartat, librat shkollorë, dokumentarët e fjalimet, u përsërit njëzetë e katër orë për njëzetë e katër, por pas vitit 1990 mbetjet e germave të tij u tretën sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Porta Eda i vuri Benito Musolini qytetit të Sarandës dhe njerëzve as nuk u ka mbetur në kujtesë ky trill i kryefashistit italian.
As Ahmet Zogu nuk mund të luftonte me këto shtrëngime të rrepta të vetrregullimit të jetës njerëzore. Ndërkohë dhe shteti i tij ndodhej në mes të një kataklizmi të madh: fashizmit italo-gjerman. Hitleri dhe Musolini qenë antiamerikanë të ngrefosur. Çdo zell administrativ për ta detyruar ngulitjen e emrit Uillson do të konsiderohej nga Roma dhe Berlini si një provokacion.
Ja pse në albumin luksoz “10 vjet Mbretëri, 1928-1938”, të botuar në 1 shtator 1938, në faqen 329 ku shkruhet për Komunën e Zadrimës, atë të Bregut të Matit, rreshtohet edhe komuna e Shëngjinit. Teksti i plotë paraqitës është ky: “Një ndërtesë komunale prej 5 dhomash dhe nji korridor prej betonit-arme. Nji rrugë në sheshin e tregut të Shëngjinit. Rruga e pusit me nji gjatësi 125 metra e gjanësi 4 m, e shtrueme me zhavorr e kalldurëm artificial. Nji rrugë qi lidh katundin Mali i Shëngjinit me atë të Rrencit e qi lidhet deri në vendin e quejtun Maja e Zezë të Komunës Pulaj”.
Ndërkohë harresa për qytetin Uillson nuk ka kursyer as dy dhjetëvjeçarët e parë të Shqipërisë së hapur. Në tre vëllimëshin e edicionit të ri të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009, në zërin “Shën Gjin”, thuhet se ai është një vendbanim i lashtë me emrin e dikurshëm Nimfaeum, me fillesë shekullin e katërt para Erës së Re. Vijohet se në vitin 1926 ka pasur gjithsej vetëm 14 banorë dhe se në 2008 zotëronte 11.363 të tillë. Në të 63 radhët shpjegues nuk gjendet asnjë fjalë, të paktën ndonjë nëntekst, se ky qytet-port në historinë e tij ka pronë të vet të ligjshme edhe dëshirën e bukur të shqiptarëve për ta nderuar me emrin e një presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Që ai emër nuk do të zbonte e zëvendësonte dot të natyrshmin Shën Gjin nuk ka asgjë për t’u mosbesuar, po ashtu edhe turpëruar. Por që në një çast të caktuar të historisë sonë të mos e fiksojmë këtë për t’ua bërë të ditur brezave ardhës kjo është për skuqur në fytyrë.
Jo vetëm Faik Konica apo edhe Fan Noli nuk janë dëgjuar më pas t’i riktheheshin temës së Qytetit Uillson. Me siguri janë pajtuar me logjikën reale të ngjarjeve, pa e fashitur kurrë ëndrrën e tyre të kahershme. Në rast se kishte një njeri i cili mund të bënte diçka, ky qe Ahmet Zogu. Por dikur presidenti dhe pas vitit 1928 edhe mbret i shqiptarëve ai nuk e kishte atë pasion për Uillsonin siç e mbanin të ndezur dy shemrit e tij. Zogu zakonisht hesht, por mund ta ketë cituar ndonjëherë emrin e presidentit amerikan. Megjithatë kërkimi i patjetër dhe gjetja e kësaj dëshmie na duket punë disi e lodhshme dhe e kotë. Për ne mjafton ideja që ndryshe nga kundërshtarët e tij të viteve njëzetë, Konica dhe Noli, Ahmet Zogu e kursen përmendjen e tij. Presidenti i shndërruar në mbret ishte tepër i ri në moshë dhe jo shumë i shkolluar kur Udrou Uillsoni bënte histori botërore me programin e tij liberal të 14 Pikave. Sapo mbushte njëzetë e pesë vjeç. Ende nuk qe bërë politikan shumë aktiv, siç shpërtheu më pas si të ishte një vullkan. Qenë shumë të tjerë në ushtrimin e luftës për qeverisje, emra mjaft të dëgjuar. Madje ata qenë të zënë jo në përleshjen për pushtet, sepse të tillë nuk kishte. Shqipëria kishte hall tjetër, dëshironte të bëhej shtet. Nuk i kishte ende kufijtë dhe jo më kolltuqet. Mes atyre politikanëve që mbronin sovranitetin e vendit Faik Konica dhe Fan Noli qenë në moshë të pjekur, njëkohësisht edhe yje diturie. Që të dy ishin njerëz të diasporës amerikane, përfaqësues të njëhershëm të shqiptarëve të emigruar, por edhe të atdheut të tyre të dytë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ahmet Zogu e kishte parë Romën e jetuar dy vite Vjenën, por ndihej më mirë si njeri i luginave malore të Matit. Shkolla shqiptare e luftës për pushtet nuk mësohej në Harvard.
Presidenti i shpallur mbret nuk kishte nevojë të citonte ndonjë lidhje me Uillsonin, edhe pse realisht nuk e kishte. Fan Nolin, rivalin e tij të shumëshkolluar që e kishte pasur fatin ta takonte presidentin e famshëm amerikan, nuk e ndihmoi fare kjo lidhje për të mbetur në pushtet. Qeverinë e tij gjysmëvjeçare Shtëpia e Bardhë nuk e njohu kurrë. E la vetëm. Ndërkohë u soll krejt ndryshe me të, Ahmet Zogun. Nuk ia vonoi letërkredencialet. Kur u shpall mbret, pra kur njeriu i luginave malore të Matit ndërroi formën e regjimit, Uashingtoni jo vetëm nuk vonoi, por vrapoi të qe ndër të parët.
Tridhjetëvjeçari kryeministër dhe me vetëm tridhjetë e tre vite jetë mbret i shqiptarëve e dinte se as Esat Pashë Toptanit, politikanin më dinak, më pragmatist, por edhe më të paprinciptë që kishte parë, nuk i shërbeu si gomë shpëtimi as për jetën takimi personal që ia doli të kishte me Udrou Uillsonin në mes të prillit 1919 në Paris. Këtë ngjarje e tregon Haris Silajxhixh në librin “Shqipëria dhe ShBA në arkivat e Uashingtonit”: “Gjatë bisedës, Esat Pasha vuri në dukje se ai kishte luftuar në anën e aleatëve për ato parime që kishte shpallur Uilsoni dhe më e pakta, që ai priste, ishte që Shqipëria të mbetej në kufijtë e vitit 1913. Edhe ai kërkoi nga Uilsoni që ShBA të pranojnë mandatin mbi Shqipërinë, duke shprehur besimin absolut të shqiptarëve tek ShBA”.
Ahmet Zogu ndoshta dinte pak nga librat, por nga jeta mësonte shumë. Marrëdhëniet e tij me amerikanët, siç do ta tregojmë më pas, janë nga më inteligjentet. Gjendeshin në këtë taktikë të tij shumë arsye, sigurisht edhe lufta kundër bolshevizmit.
(Vijon)
Tiranë, më 4 korrik 2011