Në luftë për të shpëtuar jetë

Prishtinë, 27 gusht 2021 – Aparatet që monitorojnë gjendjen e pacientëve, në kujdesin intensiv të Klinikës Infektive, në Prishtinë, e prishin qetësinë që mbretëron në dhomën ku luftohet për jetë.

“I vetmi moment i mirë i punës është kur një pacient arrijmë ta nxjerrim nga kujdesi intensiv, dhe ta kalojmë në repart të rregullt”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Faton Qollopeki, specializant në Klinikën Infektive, në Prishtinë.

Në kujdesin intensiv, aty ku trajtohen pacientët me gjendje të rëndë shëndetësore, më 26 gusht ishin shtrirë gjashtë të tillë.

Këta pacientë nuk i lë vetë asnjë moment specializanti 29-vjeçar, i cili që një vit e gjysmë kujdeset për të sëmurët të rëndë me COVID-19.

This image has an empty alt attribute; its file name is Pacient-ne-Kliniken-Infektive-ne-Prishtine.jpg

Pacient në Klinikën Infektive_ QKUK, Prishtinë

“Tërë kohën duhet të jesh në monitorim të pacientëve, gjendja e tyre nuk të lejon që të mbeten disa minuta pa monitorim”, thotë ai.

Fatoni pushon një orë në ditë, për të drekuar. Në atë kohë, kujdesi ndaj pacientëve mbetet te dikush nga kolegët tjerë.

Ditët më të rënda për Fatonin janë ato kur nuk shihet përmirësim i gjendjes klinike të pacientëve.

“Përkundër përkujdesjes maksimale që japim, ndonjëherë nuk shkon mirë. Dhe, ata vdesin”, thotë ai.

Përveç që janë të sëmurë rëndë, këta pacientë janë edhe të vetëm.

“Pacientët e ndiejnë mungesën e familjarëve, por kështu e ka kujdesi intensiv”, shprehet Fatoni.

This image has an empty alt attribute; its file name is Faton-Qollopeku.jpg

Faton Qollopeku

Klinika Infektive, në Prishtinë, është e mbushur me pacientë të infektuar me koronavirus. Më 26 gusht ishin në trajtim 117 pacientë.

Infermierët vazhdonin të punonin pa u ndalur.

Ata pranojnë pothuajse çdo ditë pacientë të rinj, për aq sa ka vend në klinikë, e cila më nuk kishte asnjë shtrat të lirë.

Sapo të lirohet një pacient në shtëpi, shtratin e tij, brenda pak orësh, e zë një pacient tjetër.

Pa pushim e 12 orë në punë

Remzie Mehmeti që 22 vjet punon si infermiere në Klinikën Infektive. Por, thotë ajo, brenda këtyre viteve kurrë nuk ka parë një gjendje të tillë.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë punë, deri vitin e kaluar, kur u përballëm me pandeminë. Por, sivjet është shumë më vështirë se para një viti. Kemi mungesë të personelit”, thotë ajo.

Në repartin F të Klinikës Infektive, ku ajo punon, janë 8 dhoma me nga dy shtretër.

Orari i punës është 12 orë. Remzia kujdeset për 16 pacientë, pothuajse pa pushim.

This image has an empty alt attribute; its file name is Remzie-Mehmeti.jpg

Remzie Mehmeti

“Është ora 13:00, para 20 minutave kam ngrënë bukë, prej kur kam ardhur në punë në orën 7:15”, thotë ajo.

Secili pacient kërkon shërbimin e vet, ka terapinë e cila duhet të jepet me kohë, dhe infermierja Remzie, e vetme në repart, duhet të jetë afër pacientëve.

“Me dy duar nuk arrin t’i bësh të gjitha”, thotë ajo.

Për shkak të situatës së rënduar me COVID-19, stafit shëndetësor i janë ndërprerë edhe pushimet vjetore. Njëra nga ta ishte edhe infermieria Remzie.

“Më ka ardhur djali nga Amerika, s’e kam parë që një vit e gjysmë. Nuk kam mundur të rri me të, ma kanë anuluar pushimin, dhe është dashur të kthehem në punë”, thotë ajo.

Situatën e rënduar me pandeminë, në Klinikën Infektive, në Prishtinë, e përshkruan edhe drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj.

Përveç punës si drejtor, ai është infektolog në këtë klinikë. Pa u ndalur, ai viziton pacientët, duke u munduar të ndajë kohë për secilin.

“Sfidat që kalojnë mjekët janë të vështira, janë të përshkruara me tensione e me gjendje emocionale. Ata përballen me një vështirësi të jashtëzakonshme, por po tentojmë të gjejmë zgjidhjen më të përshtatshme”, thotë Vishaj.

Vdekja e pacientëve nga COVID-19 përshkruhet e rëndë, nga të gjithë mjekët e infermierët. Ndonjëherë, ndodhin dy e tre vdekje përnjëherë.

“Unë kam qenë mjeku kujdestar kur është pranuar pacienti i parë me COVID-19, dhe kur kemi pasur edhe vdekjen e parë nga COVID-19. Aty e kam parë që kemi të bëjmë me një sëmundje të jashtëzakonshme, pasi që të njëjtin pacient që vdiq e kisha vizituar vetëm gjysmë ore më herët”, tregon Vishaj.

This image has an empty alt attribute; its file name is Klinika-Infektive_Prishtine-7.jpg

Dr Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive të QKUK_gjatë vizitës së pacientëve

Tani, pas më shumë se një viti me pandeminë, Vishaj apelon te qytetarët që të jenë të qetë, të jenë të vetëdijshëm se kanë të bëjnë me një sëmundje të rëndë, të mbrohen, të respektojnë masat dhe të vaksinohen.

“T’i binden vaksinimit, se kjo është arma më e fortë dhe më efikase që do të mbrojë familjet e tyre”, thotë Vishaj.

Në Kosovë, numri i të infektuarve gjatë dy javëve të fundit ka shënuar rritje.

Të enjten, në Kosovë janë regjistruar edhe 18 viktima, dhe janë konfirmuar edhe 2.295 raste të reja me koronavirus.

Kosova ka administruar 747.898 mijë vaksina, kurse të vaksinuar plotësisht janë 256.235 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)  

Comment

*