Në Luginën e Panjshirit vazhdon lufta mes talebanëve dhe grupeve të rezistencës

Kabul, 4 shtator 2021 – Forcat talebane janë përfshirë në një betejë të armatosur me grupet e rezistencës në Luginën e Panjshirit në veri të Kabulit, bëjnë të ditur njoftimet nga rajoni. Kjo është krahina e fundit në Afganistan që ende nuk ka rënë në duart e talebanëve.

Burime të talebanëve thanë të premten se forcat e këtij grupi e kanë marrë nën kontroll luginën, por luftëtarët opozitarë deklarojnë se beteja po vazhdon.

Fronti Kombëtar i Rezistencës në Afganistan, një rrjet grupesh besnike ndaj udhëheqësit lokal Ahmad Masud, deklaroi se forcat talebane kanë arritur deri në Lartësitë Darban, një zonë në kufi mes krahinave të Kapisës dhe Panshirit, por se luftëtarët opozitarë kanë arritur t’i sprapsnin.

Një burim i talebanëve tha se vazhdon avancimi i forcave të tyre, porse përparimi ka qenë i ngadaltë,  sepse rruga drejt kryeqytetit krahinor, Bazarak, është minuar.

Ende nuk ka konfirmim të pavarur mbi zhvillimet në Panshir, një rajon i rrethuar nga malet, rruga e të cilit kalon nëpër një grykë të ngushtë. Banorët e rajonit kanë një histori të gjatë të rezistencës, si ndaj qeverisë së mëparshme talebane, në vitet ’90, ashtu edhe ndaj pushtimit sovjetik.

Ndërkaq, në Kabul, talebanët kanë thënë se javën e ardhshme do të njoftojnë përbërjen e qeverisë së tyre të re.

Bashkëthemeluesi i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, emri i të cilit është përmendur për kryetar të qeverisë së ardhshme, ka deklaruar për kanalin Al Jazeera se administrata e re “do të përfshijë të gjitha grupimet e popullit afgan”.

Në Kabil tani ka shenja të rikthimit të ngadaltë të normalitetit. Ambasadori i Katarit në Afganistan tha se një ekip teknik mundësoi rihapjen e aeroportit ndërkombëtar për avionët e ndihmave humanitare. Ka edhe njoftime se kanë rifilluar fluturimet brenda vendit.

Aeroporti ka qenë i mbyllur që kur SHBA u dha fund operacioneve të saj, më 30 gusht, duke evakuuar personelin diplomatik, pajisjet dhe trupat ushtarake, si dhe një numër afganësh që konsideroheshin të rrezikuar nga talebanët.

(Zëri i Amerikës)