Në Mal të Zi, arrihet marrëveshje në parim për qeverisjen e ardhshme

Uashington, 19 shtator 2022 – Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, konfirmoi sot në Uashington se është arritur një marrëveshje në parim që emri i Miodrag Lekiqit, të partisë “Demos”, t’i paraqitet Presidentit për mandatar për formimin e qeverisë së re.

“Kemi arritur në një marrëveshje, le ta quajmë të deklaruar, që të kemi shumicën për qeverinë e re”, tha ai, duke folur në Këshillin e Atlantikut në Ëashington ku ndodhet për vizitë.

Por, ai nuk dha hollësi të tjera.

Një këshilltar i zotit Abazoviq sqaroi për Zërin e Amerikës se emri i kandidatit për kryeministër të ardhshëm u paraqit gjatë ditës së sotme ishte afati i fundit, por ende nuk është zgjidhur gjithçka, kështu që asgjë nuk është ende përfundimtare. Sipas tij, partia Ura e mbështeti dhënien e mandatit zotit Lekiq, por nuk e nënshkroi sepse kërkon marrëveshjen e plotë dhe më pas të nënshkruajë.

Shumica parlamentare e dalë nga zgjedhjet e vitit 2020 vlerësoi sot në një konferencë me gazetarë se është arritur marrëveshja për mandatarin e ri të qeverisë së Malit të Zi.

Një nga përfaqësuesit e koalicionit “Frontit Demokratik”, Andrija Mandiq, njoftoi se partitë fituese të zgjedhjeve të vitit 2020 kanë rënë dakord që kryetari i “Demos”, ish-diplomati Lekiq, të ngarkohet me formimin e qeverisë së re.

Zoti Mandiq, pas një takimi ku morën pjesë përfaqësues të Frontit Demokratik, Demokratët, URA dhe partitë tjera më të vogla që janë në koalicion me ta, njoftoi se shumica e vjetër parlamentare ra dakord për formimin e një qeverie të re.

Mandiq tha gjithashtu se qeveria e ardhshme do të krijohet në bazë të barazisë, sipas së cilës gjysma e anëtarëve të saj do të jenë nga radhët e URA, gjysma tjetër do të jenë ministra nga partitë e tjera dhe se kandidati për mandat, Miodrag Lekiq, do të ketë një “votë të artë”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e shohin “Frontin Demokratik” si partner, sepse ai nuk i mbështet vlerat evropiane. Kjo parti u përmend në raprotin e fundit të SHBA-së për financimin e partive politike të disa shtete nga Rusia.

Zoti Abazoviq, i pyetur për shqetësimet perëndimore rreth forcave pro-ruse, e siguroi Uashingtonin se nuk ekziston asnjë mundësi për të bërë dicka të gabuar në politikën e jashtme, por, nga ana tjetër, “Fronti Demokratik” është i përfshirë në bisedimet për qeverinë e ardhshme.

Qeveria e Dritan Abazoviqit u rrëzua më 20 gusht, pasi parlamenti votoi në favor të mocionit të mosbesimit ndaj saj, që u ndërmor pasi kabineti qeveritar votoi pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.

Partitë që kërkuan votëbesimin e qeverisë thanë se e morën nismën për shkak të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimit të tensioneve ndëretnike në vend. Ato thanë se qeveria, në vend që të ndjekë rrugën evropiane, po kryen eksperimente politike.

Kryeministri Abazoviq tha se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk kishte të bënte me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij e arriti me Kishën Ortodokse Serbe.

Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe shkaktoi përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse thanë se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze.

(Zëri i Amerikës)