Në Mal të Zi inicohet shkarkimi i qeverisë, Krivokapiq inicion shkarkimin e Abazoviqit

Podgoricë, 19 janar 2022 – Në Mal të Zi, deputetët e koalicionit “E Zeza në të Bardhë” dhe partitë e opozitës, të mërkurën, inicuan mocionin e votëbesimit të qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Mocioni është nënshkruar nga 31 deputetë të Lëvizjes Qytetare “URA” dhe të Lidhjes Qytetare Civis, të cilat janë pjesë e qeverisë, deputetët e Partisë Socialdemokrate, Partisë Boshnjake, Listës Shqiptare e Koalicionit Shqiptar dhe një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve.

Është e paqartë nëse vota e mosbesimit ndaj qeverisë do të ketë sukses por,  grupi parlamentar URA beson se ky mocion tregoi se nisma për krijimin e një qeverie të pakicës, e cila u publikua  nga zëvendëskryemiistri Dritan Abazoviq, e ka mbështetjen e shumicës në kuvend.

Për rrëzimin e qeverisë nevojiten votat e 41 deputetëve nga gjithsej 81, sa i ka Kuvendi i Malit të Zi. Kjo mund të sigurohet me 30 votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviq.

Kryeministri Zdravko Krivokapiq ka reaguar kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë. Të mërkurën në mbrëmje ai ka njoftuar se tashmë e ka dorëzuar në Kuvend propozimin për shkarkimin e Abazoviqit nga pozita e Zëvendëskryeministrit. Në vend të Abazoviqit, ai e ka propozuar ministrin e Financave, Milojko Spajiq.

Kundër nismës për rrëzimin e Qeverisë së Krivokapiqit kanë reaguar edhe partitë pro-serbe. Aktivistë dhe mbështetës të tyre mbajtën një protestë para ndërtesës së Qeverisë në Podgoricë. Ata kanë brohoritur kundër zëvendëskryeministrit Abazoviq, i cili është ideator i formimit të qeverisë së pakicës si edhe kundër partive që e mbështesin këtë ide.

Të hënën, Dritan Abazoviq, kryetar i Lëvizjes Qytetare URA dhe Zëvendëskryeministër, paraqiti konceptim për  formimin e qeverisë së pakicës, në të cilën nuk do të përfshihet Fronti Demokratik, e cila cilësohet si parti proserbe dhe proruse, dhe as Partia Demokratike e Socialistët e Presidentit Gjukanoviq, e cila në pushtet ishte për mbi 3 dekada.

“Koncepti ynë është i qartë. Ne e duam një qeveri të pakicës. Të gjithë mund ta mbështesin atë, por nuk jam i sigurt nëse do të hyjnë në të”, ka thënë Abazoviq.

Këtë model të qeverisjes e mbështesin partitë e pakicave. Sipas tyre, një qeveri e tillë mund të prodhojë stabilitet në Mal të Zi dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian në vend.

Kryetarët e tri partive të pakicave vlerësojnë se për funksionimin e qeverisë së pakicës është shumë e rëndësishme mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë.

Dderi më sot në përkrahje të nismës për formimin e qeverisë së pakicës është shprehur publikisht ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Karen Maddox.

“Nëse deputetët, të cilët e përfaqësojnë popullin e Malit të Zi, pajtohen të formojnë një koalicion të ri qeverisës, atëherë kjo është zgjedhja e tyre demokratike. Kjo është demokracia në veprim. Politika duhet të jetë dinamike”, ka thënë zonja Maddox.

Koalicioni URA që udhëhiqet nga Dritan Abazoviq ka qenë vendimtar për formimin e qeverisë aktuale të

Malit të Zi. Ky koalicion ka pasur ofertë për koalicion qeverisës edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Gjukanoviq. Por, Abazoviq, i cili ka qenë kritik i ashpër i qeverive të kësaj partie, i ka mbetur konsekuent qëndrimit të tij dhe e ka kundërshtuar përfshirjes e URA në një qeveri me PDS.

(Sipas VOA dhe REL)