Në Mal të Zi, memorandum mes partive të pakicave dhe disa partive tjera

Podgoricë,15 dhjetor 2021 – Të mërkurën në Podgoricë, drejtuesit e Lëvizjes Qytetare URA, Partisë Socialiste Popullore e Malit të Zi, Unionit Qytetar CIVIS, Partisë Boshnjake, Alternativës Shqiptare, Forcës së Re Demokratike dhe Partisë Demokratike nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit, me synimin për të zbutur polarizimin politik.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryetari i Lëvizjes qytetare URA dhe zv/ kryeministri, Dritan Abazoviq, tha se nënshkrimi i memorandumit ishte pakt i pajtimit dhe krijimit të një tryeze, nga e cila, dërgohet mesazhe se Mali i Zi në të ardhmen duhet të sillet ndryshe.

“Qëllimi është një bashkëpunim më i madh politik, në mënyrë që Mali i Zi qytetar dhe evropian të ketë kohë për t’u mbështetur. Qëllimi është të zhvendoset fokusi nga grindjet , te pajtimi… Në emër të URA, dua të falënderoj të gjithë ata që nënshkruan, për të treguar se mund të bashkëpunojmë. Ne nuk duam të merremi me të kaluarën, por të shikojmë nga e ardhmja”, tha Abazoviq.

Abazoviq theksoi se nënshkrimi i Memorandumit nuk do të thotë se ky veprim është krijimi i një qeverie të pakicës.

“Kjo është kundër polarizimit. Ky është krijimi i një shoqërie që është shumë kulturore dhe e përbashkët. Ky nuk është një memorandum për krijimin e një qeverie të pakicës. Askujt këtu nuk do ta kishte problem të bashkëpunonte në një qeveri në të ardhmen. Kjo nuk ka të bëjë me krijimin një qeveri, por është një akt bashkëpunues,” tha Abazoviq.

Nënshkrimi i këtij memorandumi, sipas kryetarit të Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq zvogëlon distancën ndëretnike.

“Besoj se me këtë nënshkrim, por edhe me përfshirjen e partive të tjera do të kontribuojmë në zvogëlimin e distancës ndëretnike. Kjo ditë konfirmon se popujt pakicë janë gati për këtë,” tha Ibrahimoviq.

Ndërkaq kryetari i Frocës së Re demokratike, Genci Nimanbegu e vlerëson nënshkrimin e memorandumit të Bashkëpunimit.

“Përparimi i shoqërisë dhe shtetit është vënë në pikëpyetje edhe për shkak të ndarjeve të theksuara etnike, fetare dhe kombëtare, ku nënshkrimi i këtij Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet forcave politike jep mundësi për të vendosur në binarët e zgjidhjeve krizat me të cilat përballët shteti i Malit të Zi”, tha Nimanbegu.

Nimanbegu vuri në dukje se nënshkrimi i sotëm i Memorandumit krijon njëshpresë për të rinjtë se Mali i Zi ka të ardhme.

Memorandumi parashikon bashkëpunimin dhe pajtimin që mundëson një ndryshim të pushteteve pa armiqësi, duke siguruar mos ndarje etnike, fetare, kombëtare dhe politike, ndërtimi i Malit të Zi si shtet civil, me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë, respektimi i Kushtetutës së Malit të Zi dhe përkushtimi për shtet ligjor me institucione të pavarura dhe të qëndrueshme, sundimi i shtetit ligjor dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar etj.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)