Në Maqedoninë e Veriut arrestohen 9 të dyshuar për pasaporta false

Shkup, 7 prill 2021 – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar nëntë zyrtarë policorë, të cilët dyshohet se kanë pajisur me pasaporta false pjesëtarët e një grupi kriminal, të përfshirë në kontrabandë me drogë dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Të arrestuarit, të martën kanë dalë para Gjykatës Penale, ndërkohë që hetimet janë zgjeruar për kapjen edhe autorëve të grupit kriminal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka thënë se zyrtarë kanë lëshuar pasaportat, duke abuzuar me identitetin e qytetarëve që nuk kishin pasaportë maqedonase deri në atë moment.

Sipas tij, aksioni kundër këtij grupi ka zgjatur një kohë të gjatë dhe është kryer në bashkëpunim me zyrën rajonale për hetime pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shkup dhe INTERPOL-it.

Me pasaporta janë pajisur 215 persona, 214 prej të cilëve janë shtetas të huaj. Në mesin e atyre që kanë marrë pasaporta maqedonase janë edhe anëtarë të grupeve kriminale ndërkombëtare dhe karteleve të drogës, të cilët për një pasaportë kanë paguar deri më 20 mijë euro.

Ndër ta janë edhe Sedat Peker, një shtetas turk që kishte edhe shtetësi të Kosovës, dhe Jovan Vukotiq, shtetas i Malit të Zi. Emra të tjerë nuk janë publikuar ngs autoritetet, për shkak të vazhdimit të operacionit.

Për partinë maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE ky rast tregon qartë se grupet kriminale nga rajoni janë në bashkëpunim të ngushtë me strukturat më të larta të Maqedonisë së Veriut.

Përderisa ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka theksuar se pikërisht lideri i opozitës maqedonase është ai që ka pasur kontakte me njërin nga anëtarët e këtij grupi.

“I kam kërkuar dhe Prokurorisë të hetojë të gjitha këto aktivitete. Nëse dilni në publik si parti e opozitës me ndonjë akuzë, zbardhje të dokumenteve, provave, etj dhe këtë nuk e bëni tek organi kompetent, që është Prokuroria Publike, kjo hap shumë dilema të cilat i kam dhe unë. Kjo është arsyeja pse sistemi duhet të funksionojë, prandaj thash që duhet të jepet një përgjigje. Megjithatë, kur kemi parasysh se një nga të arrestuarit është në kontakt të ngushtë, të drejtpërdrejtë dhe të përditshëm me udhëheqësin e opozitës, atëherë lind një dilemë serioze se pse u bë kjo”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Ndërkaq, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski ka hedhur poshtë pretendimet se lideri i partisë së tij, Hristirjan Mickoski ka pasur kontakte me anëtarët e grupit që është pajisur me pasaporta maqedonase në mënyrë të paligjshme.

“Këto janë gjëra qesharake. Lidhja Social Demokrate (partia e kryeministrit Zoran Zaev) ka disa ditë që po plason lajme plotësisht të rreme, ‘fake news’ klasikë, për të fshehur përgjegjësinë, duke menduar se këto do ta shpërqendrojnë publikun. I vetmi person me të cilin Mickoski kishte kontakte në periudhën e kaluar dhe që mund të ketë lidhje me këto gjëra, është Zoran Zaev, me të cilin ai ka pasur takim liderësh”, ka deklaruar Aleksandar Nikollovski.

Ndërkaq, ish-zyrtari i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Qebir Avziu i cili aktualisht ligjëron në Universitetin e Tetovës lëndët për çështjet e sigurisë dhe krimit të organizuar, tha për Radion Evropa e Lirë se ky rast tregon se organizatat kriminale kanë arritur që nga MPB-ja të nxjerrin pasaporta me identitete të vjedhura për anëtarët e organizatave.

“Shërbimet ndërkombëtare i ndjekin trafikimet e substancave narkotike, kur ato janë në përmasa ndërkombëtare. Ky grup e ka bërë pikërisht këtë punë, meqë anëtarët e këtij grupi kriminal kanë filluar të identifikohen, këta kanë gjetur mënyra se si ta fshehin identitetin e vet, duke arritur që në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për një numër të madh të kësaj organizate, të nxjerrin pasaporta me identitet të rrejshëm”, thotë Avziu.

“Këtu nuk është në pyetje falsifikimi i pasaportave sepse pasaporta është origjinale për sa i përket letrës, vulës, por vetëm identiteti i personit që është i regjistruar në pasaportë është i rrejshëm. Pra, letra dhe vetë pasaporta është origjinale sepse po mos ishte kjo atëherë s’do të ishte e përfshirë vetë Ministria e Punëve të Brendshme. Si ka arritur e gjithë kjo të realizohet? Sigurisht se këtu sillen shuma të mëdha parash dhe ku ka shuma të mëdha të parave, atëherë çdo gjë është e mundur”, shton ai.

(Zërijeta Hajro Jajaga, REL)