Në Maqedoninë e Veriut, LSDM dhe BDI do të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale

Shkup, 25 korrik 2021 – Partitë në pushtet në Maqedoninë e Veriut, LSDM dhe BDI, do të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale. Marrëveshja është arritur mes krerëve të këtyre partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti.

Të dy partnerët e koalicionit qeveritar ranë dakord që dy partitë të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale të vjeshtës, me mbështetje të ndërsjellë në disa komuna që në raundin e pare dhe në disa komuna të tjera në raundin e dytë.

“Kisha një takim të shkëlqyeshëm me partnerin e koalicionit, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. U morëm vesh që LSDM-ja dhe BDI-ja të marrin pjesë bashkë në zgjedhjet lokale”, kathënë Zaev.

Ai ka thënë se qëllimi i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së është që në bashkëpunimin parazgjedhor të kyçen sa më shumë parti nga koalicioni qeverisës.

Sipas tij, dy partitë kanë filluar procesin për zgjedhjen e “kandidatëve më të mirë”.

“Ata do të jenë personalitete që guxojnë dhe janë të përgatitur të japin rezultatin më të mirë për qytetarët në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje”, është shprehur Zaev.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, e ka komentuar koalicionin parazgjedhor të shpallur në mes BDI-së dhe LSDM-së për zgjedhjet locale. Ai ka thënë se lideri i BDI-së, Ali  Ahmeti, “siç duket ka frikë”.

“Përfundimisht Ali Ahmeti nuk e pranoi sfidën që të dalim ballë për ballë në zgjedhjet lokale. Ne nga njëra anë dhe ai me partitë shqiptare në anën tjetër. Sic duket ka frikë”, ka thënë Sela.

(r.m.)