Në Maqedoninë e Veriut regjistrohen edhe 32 viktima të COVID-19

Shkup, 30 gusht 2021 – Maqedonia e Veriut, të hënën ka regjistruar 32 viktima dhe 299 të infektuar me COVID-19.

Rezultati i rasteve të reja të të infektuarve është nga 2,628 teste të bëra, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Viktimat janë: pesë në Gostivar, nga katër në Shkup, Tetovë dhe Kërçovë, tre në Strugë, nga dy në Kumanovë, Prilep dhe Shtip dhe nga një në Strumicë, Koçanë, Gjevgjeli, Radovish, Ohër dhe Dellçevë.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur në 5,901, shumica prej tyre në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Dibër, Strumicë, Strugë, Veles dhe Prilep.

Sa i takon të infektuarve, raporti i Ministrisë së Shëndetësisë, bënë të ditur nga 299 të infektuarit, vetëm në Shkup janë regjistruar 209 raste.

Në Tetovë janë regjistruar nëntë të infektuar ndërsa dhjetë në Gostivar që paraqet numrin më të ulët të të infektuarve në muajin e fundit.

Tetova dhe Gostivari gjatë kësaj periudhe kanë qenë qytetet me numrin më të lartë të viktimave dhe të të infektuarve, ndërsa shkaku i kësaj besohet të jenë dasmat dhe manifestimet tjera që janë mbajtur pa respektuar masat për mbrojtje nga pandemia.

Numri i rasteve aktive në nivel të shtetit ka arritur në 14,077 persona.

Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar edhe për 545 persona të shëruar, që gjithashtu paraqet shifrën më të lartë brenda një ditë të personave që ka kaluar sëmundjen.

Drejtuesit e Institucioneve Shëndetësore kanë përsëritur thirrjet për vaksinimin e popullatës si mundësi e vetme për mbrojtje nga infektimi me koronavirus.

Në Maqedoninë e Veriut, deri të hënën janë vaksinuar në mbi një milion persona ndërsa rreth 720 prej tyre kanë marrë nga dy doza.

Ministria e Shëndetësisë, ka bërë thirrje për vaksinimin edhe të mësimdhënësve dhe të prindërve të nxënësve të cilët më një shtator fillojnë vitin e ri shkollor me prani fizike.

(REL)