Në njëvjetorin e luftës, Ukraina nderon të rënët dhe premton qëndresë ndaj Rusisë

Kiev, 24 shkurt 2023 – Ukraina shënoi të premten njëvjetorin e fillimit të agresionit rus, në një ditë solemne përkujtimi dhe reflektimi. Presidenti Volodymyr Zelenskyy përdori një ton sfidues për të nënvizuar vendosmërinë e vendit të tij ndaj Moskës dhe nderoi ushtarët që kanë humbur jetën në luftë. Ndërkohë Perëndimi rikonfirmoi mbështetjen e vendosur ndaj Ukrainës.

Një atmosferë solemne mbizotëronte të premten në Kiev përpara se Presidenti ukrainas të mbante një fjalim dhe t’i nderonte trupat me medalje. Kurorat me lule ishin një kujtesë e humbjes së jetëve të dhjetra-mijëra vetëve, ndërsa personeli ushtarak inspektonte automjetet ushtarake të dëmtuara përpara se të nisej për të marrë pjesë në ceremoni.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e përdori përvjetorin për nderuar ukrainasit për vendosmërinë e tyre pas një viti konflikti dhe premtoi se në vitin 2023 Ukraina do të luftojë për fitore.

“Jam krenar për ju, jemi të gjithë krenarë për ju dhe le të përshkojë kjo krenari rrugë dhe llogore, le të përfshijë kjo krenari sheshe dhe qytete, le të përshkojë kjo krenari zemrat dhe vendet, le të flasë kjo krenari kudo – rroftë Ukraina,” tha zoti Zelenskyy në fjalën e tij të hapjes në Kiev.

Disa ushtarë u nderuan me titullin Hero i Ukrainës – vlerësimi më i lartë që një president ukrainas mund t’i japë një individi, pas vdekjes, ndërsa anëtarët e përlotur të familjeve pranonin medaljet në vend të tyre.

“Çfarë mund të thuash? Nuk do të harrojmë kurrë”, i tha zoti Zelenskyy bashkëshortes dhe vajzës së një ushtari të rënë, të cilat mezi mbanin lotët.

Në fjalimin e mëngjesit drejtuar kombit, presidenti Zelenskyy uroi ukrainasit për qëndrueshmërinë e tyre dhe tha se ata e kishin provuar veten të jenë të pathyeshëm në atë që ai e quajti “një vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe uniteti”.

“Ne mbijetuam ditën e parë të luftës në shkallë të gjerë. Nuk e dinim se çfarë do të sillte e nesërmja, por e kuptuam qartë se për çdo të nesërme, duhet të luftosh. Dhe ne luftuam”, tha ai në një video fjalim herët në mëngjes.

Ishte “dita më e gjatë e jetës sonë. Dita më e vështirë e historisë sonë bashkëkohore. Ne u zgjuam herët dhe që atëherë nuk kemi fjetur”, tha ai.

Zoti Zelenskyy falenderoi aleatët e Ukrainës.

“I falenderoj të gjithë partnerët, aleatët dhe miqtë tanë që kanë qëndruar krah për krah me ne gjatë gjithë vitit. Jam i kënaqur që koalicioni ndërkombëtar kundër Putinit është rritur kaq shumë”, tha ai.

Sekretari i Përgjthshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur në Talin në krah të Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministres së Estonisë Kaja Kallas, tha se lufta që filloi Vladimir Putini para një viti, ishte e paligjshme dhe “në shkelje të hapur të rregullave themelore ndërkombëtare”.

“Ai donte të thyente vullnetin e popullit ukrainas dhe donte të thyente unitetin tonë. Presidenti Putin dështoi. Ukraina qëndron. Dhe NATO dhe BE qëndrojnë me Ukrainën. Megjithatë Putini nuk ka hequr dorë nga synimet e tij. Ai do një Evropë ndryshe, ku Rusia mund të diktojë se çfarë bëjnë fqinjët”, tha ai.

Zoti Stoltenberg tha se NATO-ja duhet t’i japë Ukrainës atë që i nevojitet për të triumfuar.

Shtëpia e Bardhë njoftoi sot një ndihmë shtesë prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën, përfshirë sisteme ajrore pa pilot dhe paisje për të diktuar sisteme ajrore pa pilot, mjete për luftën elektronike, si dhe rezerva kritike municioni “që do të forcojnë aftësinë e Ukrainës për të zmbrapsur agresionin rus”, tha Shtëpia e Bardhë.

Përveç mbështetjes së Ukrainës, Perëndimi vazhdon të sanksionojë Rusinë.

Shtëpia e Bardhë tha të premten se po vendos sanksione të reja gjithëpërfshirëse që kanë në shënjestër sektorët bankarë, të minierave dhe të mbrojtjes, si dhe ndaj “mbi 200 individëve dhe subjekteve, përfshirë aktorë rusë dhe të vendeve të treta në të gjithë Evropën, Azinë dhe Lindjen e Mesme që po mbështesin përpjekjet luftarake të Rusisë”.

Por një vit më pas, paqja nuk shihet gjëkundi. Kina bëri thirrje për një armëpushim, një ide e refuzuar më parë nga Ukraina nga frika se do të lejonte Rusinë të rigrupohej ushtarakisht pas dështimeve në fushën e betejës. Një dokument prej 12 pikash i publikuar të premten në mëngjes nga ministria e Jashtme e Kinës kërkon gjithashtu fundin e sanksioneve perëndimore që po ushtrojnë trysni mbi ekonominë e Rusisë. Ky sugjerim nuk paraqet kurrfarë zgjidhjeje, duke pasur parasysh se vendet perëndimore po punojnë për të shtrënguar më tej sanksionet.

Në Ukrainë, kishte shqetësime se Rusia mund të lëshonte një tjetër breshëri raketash për të shtuar trishtimin e kësaj dite të zymtë. Por, alarmet për sulme ajrore nuk u dëgjuan gjatë natës në Kiev dhe mëngjesi filloi i qetë.

Megjithatë, qeveria rekomandoi që shkollat të mbajnë mësim në distancë dhe punonjësve në zyra iu kërkua të punojnë nga shtëpia. Një ditë, e cila një vit më parë filloi me sulme me raketa, me trupat pushtuese që derdheshin nëpër kufijtë e Ukrainës dhe një eksod refugjatësh, filloi shumë më qetë të premten në Kiev dhe pjesë të tjera që Ukraina i mbrojti me sukses në fillimin të agresionit rus, duke sfiduar frikën se vendi mund të bjerë brenda ditësh ose javësh.

Nderimet për qëndrueshmërinë e Ukrainës u shfaqën gjithandej nëpër botë. Kulla Eifel në Paris ishte ndër monumentet e ndriçuara me ngjyrat e Ukrainës.

Pasojat ekonomike kanë shpërthyer në gjithë botën. Pasojat diplomatike gjithashtu. Vendet perëndimore po mbështesin Ukrainën ushtarakisht, financiarisht dhe politikisht. Por vende si Kina dhe India kanë shfaqur mëdyshje në lidhje me argumentet perëndimore se Ukraina është vija e parë e luftës për liri dhe demokraci.

Moska ka marrë nën kontroll gati një të pestën e Ukrainës, territor të cilin pretendon se e ka aneksuar.

Përvjetori i luftës më të madhe dhe vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore vjen në një fazë komplekse, ndërsa si Ukraina dhe Rusia po përgatiten për ofensiva të reja në pranverë dhe nuk ka shenja se lufta do të përfundojë së shpejti.

(Zëri i Amerikës)