Në Përmet nisin gërmimet arkeologjike, besohet se gjenden varreza mesjetare

Tiranë, 16 korrik 2021 – Arkeologët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore nisën të premten në Përmet përgatitjet për gërmime arkeologjike në një zonë ku gati një javë më parë, gjatë punimeve për infrastrukturën rrugore, u zbuluan katër varre.

Misioni arkeologjik i gërmimeve u miratua dy ditë më parë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, një strukturë e Ministrisë së Kulturës dhe përbëhet nga 6 arkeologë që do të merren me gërmimet në zonë dhe një antropolog që do të merret me vlerësimin e skeleteve.

“Rezultatet paraprake flasin për rreth 12 varre që duken në sipërfaqe, por duhet të jenë edhe më shumë”, i tha “Zërit të Amerikës” arkeologu Maringlen Meshini.

“Kemi të bëjmë me varre të rriturish dhe fëmijësh. Mund të ketë edhe varre familjare, por materiali skeletor do të tregojë më shumë detaje gjatë ditëve në vijim”, tha zoti Meshini.

Sipas tij, pozicionimi i varreve të gjetura, ndërtimi, tipologjia si dhe shpërndarja tregon në vlerësimin paraprak, një varrezë të periudhës mesjetare.

“Është herët për të folur pasi mund të ketë edhe varre të periudhave më të hershme apo më të vona, por nga vlerësimi paraprak i deritanishëm duken të paktën varre të para 200 viteve”, tha arkeologu Meshini.

Sipas tij kërkimet do të zgjasin më shumë se një muaj dhe më pas mbi bazë të materialit të mbledhur do të kryhen analiza përfshirë edhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore.

Një ditë më parë Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë tha se dyshonte se varret e gjetura në Përmet janë të të zhdukurve nga diktatura komuniste.

Kryetari i shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politikë Nebil Çika, tha se pretendimi i tyre buronte në disa fakte.

“Në diktaturën komuniste në këtë zonë ka qenë një repart ushtarak, nga ato repartet famëkeqe që ndiqnin armiqtë e komunizmit, diversantët, ata që arratiseshin dhe deri në vitin 1991 ka qenë qendra më e madhe e stërvitjes së ushtarëve të kufirit”, tha zoti Çika.

Sipas tij “në bazë të të dhënave nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, por edhe nga dëshmitarët, këto lloj repartesh të izoluara, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit përdoreshin edhe si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit, ata që dënoheshin me vdekje, ata që vriteshin ose kapeshin në kufi, varroseshin në këto vende”.

Prokuroria e Përmetit ka nisur hetimet dhe po pret rezultatet e ekspertëve të arkeologjisë për të vijuar më tej me vlerësimin e skeleteve dhe analizat e mbetjeve kockore që kryhen nga mjekësia ligjore.

Sipas arkeologëve, proçesi do të kërkojë kohë pasi gërmimi arkeologjik mund të shtrihet në zonë për të parë shtresat historike dhe analizuar hap pas hapi, gjetjet.

(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)