Në Portin e Durrësit kapen 49 kg kokainë, të fshehur në një kontejner me banane

Tiranë, 1 prill 2021 – Në Shqipëri, një operacion i policisë i mbështetur nga strukturat doganore në Portin e Durrësit, çoi në sekuestrimin e një sasie droge prej 49 kilogramësh, e dyshuar si kokainë.

Lënda narkotike u gjet e fshehur në një kontejner me banana, i nisur nga Ekuadori, që më parë kishte bërë një ndalesë dhe në portin e Mersinit, në Turqi.

Ngarkesa me banane ishte porositur nga kompania “Ecoalmax”, administrator i së cilës është 72 vjeçari Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, personit të arrestuar dhe tw dënuar me 14 vjet burg, për trafikim tw 619 kilogramëve kokainë, tw zbuluara në shkurt të vitit 2018, në Portin e Durrësit, po në një kontejner bananesh tw nisur po nga Ekuadori.

Selim Çekaj është vënë në pranga nga policia, ndonëse ka mohuar të ketë lidhje me drogën e gjetur në ngarkesën e porositur nga kompania e tij, e cila kishte nisur aktivitetin vetëm një muaj pas gjetjes sasia e madhe e kokainës që çoi në arrestimin e të birit.

Raporti i fundit vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departameti amerikan i Shtetit, pak javë më parë vlerësonte se Shqipëria konsiderohet ende si “një vend burim i kanabisit dhe një bazë për grupet e krimit të organizuar që lëvizin lëndët narkotike nga vendet e burimit në tregjet evropiane. Shtetasit shqiptarë janë shumë të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në të gjithë Evropën”, nënvizonte raporti.

(r.m.)

Comment

*