Në portin e Durrësit kapen edhe 140 kg kokainë

Tiranë, 11 prill 2021 – Policia shqiptare zbuloi të shtunën afro 140 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar për kokainë në një konteiner në portin e Durrësit, që vinte nga Ekuadori për firmën “Masabi Fruits” në periferi të kryeqytetit.

Kokaina u zbulua në një pjesë të përshtatur në tavanin e konteinerit, gjatë një kontrolli të papritur.

Një nga përfaqësuesit e firmës, Klajdi Xibraku, u ndalua për t’u pyetur nga policia, ndërsa një përfaqësues tjetër Erion Peti, i tha medias në Tiranë se firma e tyre sillte fruta nga jashtë Shqipërisë prej 5 vjetësh dhe asnjëherë nuk kishte patur probleme.

Policia njoftoi se kontrolli ishte pjesë e operacionit “EL MEJOR”, ku saktësisht u gjetën rreth 143 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, ndërsa u arrestuan në flagrancë 2 administratorët e kompanisë pritëse të ngarkesës me banane.

Ngarkesa e nisur nga Ekuadori kishte kaluar tranzit në portin “Gioia Tauro” të Italisë, me destinacion Shqipërinë.

Një tjetër operacion policor zbuloi më 1 prill në Portin e Durrësit një sasi droge prej 49 kilogramësh kokainë në një konteiner bananesh ardhur nga Ekuadori.

Ngarkesa me banane ishte porositur nga kompania “Ecoalmax”, administrator i së cilës është 72 vjeçari Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, personit të arrestuar dhe dënuar me 14 vjet burg, për trafikun e 619 kilogramëve kokainë të zbuluara në shkurt të vitit 2018, në Portin e Durrësit, po në një konteiner bananesh i nisur dhe ai nga Ekuadori.

Selim Çekaj u vu nën pranga nga policia, ndonëse mohoi të ketë lidhje me drogën e gjetur në ngarkesën e porositur nga kompania e tij, e cila nisi aktivitetin vetëm një muaj pasi u gjet sasia e madhe e kokainës, që çoi në arrestimin e të birit.

Raporti i fundit vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departameti amerikan i Shtetit, pak javë më parë vlerësonte se Shqipëria konsiderohet ende si “një vend burim i kanabisit dhe një bazë për grupet e krimit të organizuar që lëvizin lëndët narkotike nga vendet e burimit në tregjet evropiane. Shtetasit shqiptarë janë shumë të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në të gjithë Evropën”, nënvizonte raporti.

(Ilirian Agolli,Zëri i Amerikës)

Comment

*