Në poste drejtuese të zgjedhen njerëz të aftë e të përkushtuar

Sadik Elshani

Kur e shohim gjendjen anemike, të plogshtë, politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës, nivelin jo të lakmueshëm në shumë lëmi: arsim, shkencë, kulturë e shëndetësi, gati secili prej nesh shpesh e bën të njejtën pyetje: Ku janë intelektualët, ekspertët, njerëzit profesionistë që muk angazhohen, por rrinë anash, bëjnë vetëm sehir? Ajo që më nxiti t’i shkruaj këto radhë është kandidatura e arkitektit të njohur edhe ndërkombëtarisht, Përparim Rama, për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së). Qysh herët në jetën time jam përcaktuar për interesat kombëtare dhe jo të ndonjë partie të caktuar politike, prandaj ky shkrim nuk ëshytë as përkrahje e kandidatit dhe partisë në fjalë, por vetëm e një nisme, një ecurie që duhet përshëndetur e që është mirë ta ndjekin edhe partitë tjera politike për të rekrutuar njerëz të aftë, të zotë në postet drejtuese të institucioneve të Kosovës. Për zotin Rama nuk di edhe aq shumë, përveçse ato që kam lexuar në shtypin e përditshëm, të tjerat le t’i thonë votuesit në zgjedhjet vendore (lokale) që do të mahen në Kosovë më 17 tetor. Për të qenë një udhëheqës, administrator i suksesshëm nuk mjafton vetëm aftësia profesionale, por duhet patur edhe aftësi të tjera drejtuese (menaxhuese) për të bashkërenduar punët, për të prirë e për t’i bashkuar njerëzit.

Në disa intervista në shtypin Kosovar, zoti Rama u shpreh se është apolitik, jo partiak. Madje ai nuk është as anëtar i LDK-së. Por, së paku që nga koha e Aristotelit e dimë që njeriu është një “kafshë politike” (“zoon politikon”). Ajo çka ka dashur të thotë zoti Rama është se, ai në radhë të parë do të pëqëndrohet në kryerjen e detyrës së kryebashkiakut të Prishtinës me përkushtim dhe jo të ndjekë verbërisht ineresat e parisë dhe të ndonjë klani brenda partisë. Disa i shfrytëzuan këto shqiptime (deklarata) të zotit Rama për ta sulmuar atë dhe LDK-në se nuk paska një kandidat nga radhët e anëtarëve më të vjetër të partisë, duke e cilësuar këtë si një dobësi të LDK-së. Dikush ndoshta është anëtar më i vjetër, më militant i partisë, por ndoshta nuk është në gjendje që ta  kryejë me sukses detyrën e një kryebashkiaku për t’i zgjidhur problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët – i mungon përgatitja e duhur, përvoja, vullneti, durimi e përkushtimi. Problemet zgjidhen me vepra, punë të përkushtuar dhe jo me fjalë, qofshin ato edhe më të bukurat e më të ëmblat. Me siguri as me militantizëm partiak. Wshtë ky një rast që duhet t’u shërbejë si shëembull edhe partitë e tjera për t’i zgjeruar radhët e tyrë, për t’u përtrirë me fytyra të reja, njerëz që ofrojnë ekspertizë, profesionalizëm, sjellin dika të re e kreative.

Veprime të tilla të sjelljes së anëtarëve, kandidatëve nga partitë e pavarura dhe ato kundërshtare (rivale) e praktikojnë edhe partitë që kanë tradita qindravjeçare. Këtu në ShBA, nnë vitin 2006 Partia Demokratike e rekrutoi republikanin Jim Webb që të kandidojë si demokrat në shtetin e Virxhinias për në Senatin e ShBA-ve. Ndërsa Michael Bloomberg, i cili tërë jetën ka qenë demokrat, në zgjedhjet e vitit 2001 për kreun e Bashkisë së Nju Jorkut kandidoi si republikan, sepse lista e kandidatëve nga radhët e Partsë Demokratike ishte mjaft e gjatë dhe ai nuk kishte kurrëfar gjasash për ta fituar emërimin (nominimin) e partisë. Zgjedhejt i fitoi si republikan dhe qëndroi si republikan për disa vite, për t’u bërë psataj i pavarur (independent) dhe nga viti 2018 përsëri u bë demokrat. Duhet theksuar se në skenën politike të qytetit të Nju Jorkut demokratet mbizotërojnë bindshëm. Ka edhe shumë shembuj të tjerë të kalimit nga njëra parti në tjetrën.

Zgjedhjet vendore (lokale) siç tregon edhe emri,  kanë të bëjnë me zgjedhjen e kandidatëve që janë në gjendje dhe të aftë t’i zgjidhin problemet vendore, njerëz që e njohin dhe e duan qytetin dhe bashkëqytetarët e tyre, me punën dhe përkushtimi e tyre e begatojnë jetën e qytetit, ia lehtësojnë jetën qytetarit. E ka thënë bukur një figurë emblematike e politikës amerikane, Tip O’Neill (1912 – 1994), ish Kryetar (Speaker) i Dhomës së Përfaqësusve të Kongresit Amerikan (1877 – 1987): “All politics is local” (“Të gjitha politikat janë lokale”). Prandaj, në këto zgjedhje vendore pragmatizmi duhet të mbizotërojë mbi ideologjinë. Duhet përgëzuar të gjithë ata kandidatë, intelektualë e profesionistë. që shprehin gatishmërinë për t’u angazhuar në skenën politike e shoqërore të Kosovës, për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e vendit.

Philadelphia, më 27 qershor, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.