Në Prishtinë dhe Tetovë promovim i librave të Shaban Muratit

Në Prishtinë u promovuan dy librat e rij të diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” dhe ”Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, organizuar nga Fondacioni i mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini”, që ka botuar dy librat.

Në këtë veprimtari merrnin pjesë ministra të qeverisë së Kosovës, deputetë, diplomatë, përfaqsues të universiteteve dhe të institucioneve kërkimore dhe arsimore, përfaqësues të mediave, etj. Të pranishmit i përshëndeti kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu.

Pastaj rreth librit “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” referuan dr.Sadri Ramabaja, drejtor i “Institutit Shqiptar për gjeopolitikë” dhe profesor Shpejtim Bulliqi. Për librin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” referuan profesor Donik Sallova dhe drejtori i “Institutit Politik të Studimeve Humane”, studjuesi i mirënjohur i filozofisë, Elvis Hoxha.

Universiteti i Shtetëror i Tetovës organizoi në amfiteatrin e Fakultetit të Drejtësisë promovimin e dy librave të rij të diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” dhe “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”.

Në promovim merrnin pjesë shumë studentë dhe profesorati i Universitetit të Tetovës, ndër të cilët edhe shumë profesorë themelues të Universitetit në gjuhën shqipe në Tetovë në vitin 1994, kur autori ka qenë ambasador i Shqipërisë në Maqedoni dhe dha një kontribut të madh në themelimin e atij universiteti.

Promovimin e përshëndetën dekani i Fakultetit të Drejtësisë prof. Qebir Avziu dhe kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Me pas për dy librat u referua nga profesor Fehari Ramadani, profesor Bujar Ahmedi dhe profesor Ylber Sela.