Në Prishtinë u promovuan dy botime të Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz

Prishtinë, 22 mars 2022 – Të martën në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë u bë promovimi i dy botimeve me interes të veçantë të historiografisë ballkanike dhe historiografisë së Kosovës: përmbledhjes së raportimeve konsullore për Vijaletin e Kosovës të periudhës 1870-1914 dhe librit “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-perandorake”, të studjuesit ndoshta më të thellë të historisë së Ballkanit në mesjetë, historianit zvicerano-austriak Oliver Jens Schmit, anëtar i Akademisë së Shkecave të Austrisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

This image has an empty alt attribute; its file name is Rexhep-Ismajli-ne-promovimin-e-librit-te-Oliver-Jens-Schmitt.jpg

Akademik Rexhep Ismajli, në fjalën e tij të rastit për botimin pesë-vëllimësh “Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870 -1914. Berichte der Österreich-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan” (Politikë dhe shoqëri në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga Serbia 1870 -1014. Njoftime të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani Qendror), i përgatitur për shtyp nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz, botuar nga Akademia e Shkencave të Austrisë në vitin 2020, tha se ky botim ka një vlerë të madhe për studime objektive e të argumentuara në fushë të historisë, por edhe në fushë të politikës, ekonomisë, kulturës, e të tjera.

“Botimi që kemi përpara më duket një përgjigje e mirë ndaj të gjitha përdorimeve të dokumenteve dhe të tendencave për të rithemeluar historinë pas përmbysjeve ideologjike që kanë ndodhur ndërkohë”, theksoi ai.

“Kemi këtu në 4 libra të gjitha raportet e konsujve austro-hungarezë për Kosovën nga Vilajeti i Kosovës. Raportet e konsujve janë dhënë në origjinalin e tyre, shumica gjermanisht, por ka edhe frëngjisht e italisht. Një pjesë e raporteve janë njoftime ditore të konsujve për çka kishte ndodhur në hapësirën që ata mbulonin, por shumë shpesh ka ndër to edhe analiza të thelluara të situatës, të raporteve midis vepruesve të ndryshëm shoqërorë dhe parashikime se nga mund të lëvizin gjërat. Aspekti i fundit merr peshë sidomos kur e dimë se shpesh përfaqësuesit e tillë konsullorë ndërlidheshin apo ishin të zhytur në zhvillimet politike në vend, në forma të ndryshme. Në aspektin e njohjes së gjendjes së Vilajetit në atë kohë, të dy këto procedime kanë rëndësi jo të vogël. Përfshirja e të gjitha raporteve e përjashton  seleksionimin e interesuar të dokumenteve që, jo rrallë, ngjet në vështrimet historiografike. Njëherësh ato shtrojnë nevojën e njohjes edhe të dokumentave të tjerë përreth”, tha Profesor Ismajli.

“Periudha për të cilën bëhet fjalë në dokumentet e këtij botimi përfshin fazën e parë të Çështjes lindore, kohën e përpjekjeve për stabilizim nga ana e pushtetit Osman, por edhe konkurrencën serbo-bullgare për trashëgiminë osmane në Ballkan, reagimet e popullsisë shqiptare përgjithësisht, manifestimet e identifikimeve etniko-kombëtare, luftërat serbo-malaziase /osmane (1876), Kongresi i Berlinit, Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, luftërat greko-osmane, shfaqja e komitave bullgaro-maqedonase dhe kryengritja e Ilindenit, përmbysja e xhonturqve, kryengritjet shqiptare 1910-1912, rënia e Perandorisë Osmane, pushtimi serb, etj.”, shtoi ai.

“Në këto vëllime janë përfshirë 742 raporte,më së shumti nga Prizreni, pastaj nga Shkupi e më vonë nga Mitrovica, më pak nga Beogradi, nga Shkodra, Manastiri, Selaniku e Stambolli. Raportet janë shkruar në gjermanisht, por ka edhe frëngjisht e italisht. Cilësia e raporteve është e lartë, veçohen qartë raportimet e zhvillimeve nga analizat e gjendjes apo edhe nga parashikimet. Në shumë raste mund të lexohen vështrime të vërtetë me sens sociologjik për gjendjen. Duket se raportuesit kanë marrë edukim të veçantë përpunët e tyre dhe në këtë aspekt dallojnë dukshëm nga raportet që gjenden nga mjediset dhe qendrat e tjera joaustro-hungareze”, theksoi akademik Ismajli.

This image has an empty alt attribute; its file name is Rexhep-Ismajli-1.jpg

Ai tha se ky botim është lehtësisht i përdorshëm.

“Botimi prihet nga një parathënie e gjatë e Oliver Jens Schmitt, ku jepen shpjegime për hapësirën, për Vilajetin, për raportet midis aktorëve të ndryshëm popullativë/shtetërorë, të fuqive të mëdha, të lëvizjeve popullore, të konflikteve, etj. Ka edhe një shënim të natyrës më teknike arkivistike nga Eva Anne Frantz. Të gjitha raportet shoqërohen me shënime e shpjegime, qoftë gjeografike-toponomastike, apo të tjera. Të gjitha këto e bëjnë botimin lehtësisht të përdorshëm”, tha ndër të tjera profesor Ismajli.

Profesor Ismajli e vlerësoi punën shkencore hulumtuese të Oliver Jens Schmittit të historisë së Evropës Juglindore dhe të historisë së shqiptarëve. Ai njoftoi se Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në bashkëpunim me Profesor Schmittin, ka nisur realizimin e një monografie për Hasan Prishtinën, njërën ndër figurat politike shqiptare më shumëdimensionale.

Profesor Ismajli e vlerësoi gjithashtu punën e Akademisë së Shkencave të Austrisë për studimin e historisë e të kulturës shqiptare.

This image has an empty alt attribute; its file name is Jusuf-Bajraktari.jpg

Për librin e Profesor Schmittit “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-perandorake”, përkthyer në gjuhën shqipe nga Shkumbin Brestovci, botuar nga shtëpia botuese “Artini” nga Prishtina, foli akademik Jusuf Bajraktari.

Ai tha se ky libër, fryt i punës sistematike të profesor Schmittit, është ndër botimet  më të plota dhe më të dokumentuara të historisë së Ballkanit në shekullin XX.

Bajraktari tha se në këtë libër hidhet dritë mbi ngjarjet më të rëndësishme të shekullit që i kanë determinuar relacionet dhe marrëdhëniet midis shteteve e popujve ballkanikë, deri nëditët e sotme. Ai vuri theksin te marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët.

This image has an empty alt attribute; its file name is Oliver-Jens-Schmit-2.jpg

Autori i librit, Oliver Jens Schmitt, nuk foli për botimetdhe punën e tij. Ai foli për bashkëpunimin midis Akademisë së Shkencave të Austrisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai tha se Akademia austriake e Shkencave ka shprehur interes për zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të dijes.

Profesori Schmitt njoftoi se Instituti për Studime Ballkanike që vepron në kuadrin e Akademisë austriake kanë plan realizimin e projekteve të ndryshme studimore dhe përkrahjen e studjuesve të rinj shqiptarë për ngritjen profesionale të tyre, përmes bursave dhe sigurimit të literaturës pa pagesë.

Oliver Jens Schmitt e vlerësoi shumë të frytshme dhe me interes edhe bashkëpunimin e tij me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtar i jashtëm i së cilës është prej vitit 2012. 

 

(r.m.)