Në Prishtinë, veteranët protestojnë “në mbrojtje të UÇK-së”

Prishtinë, 12 qershor 2021 – Me moton “Me ju çlirimtarë”, të shtunën, më 12 qershor, në Prishtinë u mbajt një protestë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ideatori i kësaj proteste, Besart Gashi, ka vendosur pano me figurat e tetë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Sali Mustafës, Pjetër Shalës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Mbi këto pano, qindra protestues kanë shkruar moton e protestës, duke formësuar figurat e këtyre tetë ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Kjo protestë është mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta është mbajtur në ditën kur në Kosovë shënohet 22-vjetori i çlirimit të Kosovës nga regjimi i Serbisë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se në ditën kur shënohet 22 vjetori i çlirimit të Kosovës, themeluesit e UÇK-së gjenden prapa grilave në Hagë. Ai ka thënë se në Hagë “po gjykohet lufta e UÇK-së dhe nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit serb”.

Klinkaku ka thënë se kjo protestë është organizuare për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së “nga fyerjet e  çlirimtarëve” nga “njerëz që nuk ia dinë vlerën lirisë” dhe nga Gjykata e Hagës.

“Ky aktivitet protestues u organizua për shkak të fyerjeve që i janë bërë dhe po i bëhen ndaj UÇK-së, nga njerëz që nuk ia dinë vlerën lirisë e ndër ta edhe ministra të Qeverisë. Por, po organizohet edhe në përkrahje të çlirimtarëve që gjenden padrejtësisht në Dhomat e Specializuara në Hagë”, ka theksuar Klinaku.

Tetë ish-pjesëtarë të UÇK-së gjenden aktualisht në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa dhe Pjetër Shala akuzohen për krime të luftës dhe për krime kundër njerëzimit.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj akuzohen për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

(r.m.)