Në pritje të identifikimit të dy viktimave të aksidentit në Kroaci

Sllavonski Brod (Kroaci),26 korrik 2021 – Është konfirmuar tashmë identiteti i tetë viktimave të aksidentit me autobus që ndodhi të dielën në Kroaci. Procesi i identifikimin të dy viktimave të tjera po vazhdon ende, ka bërë të ditur Policia e Kroacisë.

Dhjetë vetë, shtetas të Kosovës ose me prejardhje nga Kosova, e humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin po udhëtonin doli nga rruga dhe u përmbys anës autostradës A3, afër qytetit kroat Sllavonski Brod.

Sipas familjarëve të viktimave të identifikuara deri më tash, 5 pfrej tyre janë nga komuna e Gjakovës, 2 nga komuna e Rahovecit, 1  nga komuna e Pejës dhe 1 nga komuna e Podujevës.

Josip Samarxhiq, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Sllavonski Brod, ku janë dërguar për trajtim të lënduarit e aksidentit, ka thënë se, përveç dy të lënduarve rëndë, të lënduarit tjerë janë në gjendje stabile dhe se shumica prej tyre pritet të lirohen nga spitali të hënën.

“Dy pacientë me rrezik për jetën janë ende në njësitë e kujdesit intensiv dhe gjendja e tyre po monitorohet nga afër dhe po i nënshtrohen metodave të kujdesit intensiv. Në orët e paradites, u kryen shtatë operacione te të lënduarit e aksidentit të djeshëm të trafikut, ndërsa gjatë ditës, 20-25 pacientë do të lirohen për trajtim në shtëpi”, kathënë ai.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili shkoi  të dielën në Kroaci, bashkë me  kryeministrin Albin Kurti, ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, të hënën në mëngjes i ka vizituar të plagosurit në spital. Ai ka thënë se po punohet për transferimin e të lënduarve në Kosovë.

“Në koordinim me autoritetet kroate po përpiqemi të organizojmë transportin e të plagosurve sa më shpejt që të jetë e mundur. Sot ne do të përpiqemi t’i transportojmë në Kosovë disa nga njerëzit tanë që nuk kanë lëndime serioze dhe disa të tjerë që do të kthehen në Gjermani”, ka thënë Sveçla.

(r.m.)