Në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” u prezantua romani “Këpuca e Aktorit” të Visar Zhitit

Kronika nga Valentin Lumaj

29 Maj 2023

Ditën e djeshme, me 28 maj 2023, Qendra Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Zoja Pajtore në Southfield, Michigan organizoi promovimin e librit të ri “Këpuca e Aktorit” të shkrimtarit Visar Zhiti. Aktiviteti u mbajt në ambientet e kësaj Qendre.

Me kohë një komision i posaçem nën drejtimin e Dom Ndue Gjergjit kishte shpallur dhe punoi për pregatitjen e këtij aktiviteti letrar. Autori Visar Zhiti shoqërohej nga bashkëshortja Edlira dhe nga veprimtarët e komunitetit nga Chicago, z. Taip Beshiri dhe z. Dhamo Jano me bashkëshortet e tyre.

Panelin e promovimit e udhëhoqën Dr. Gjeka Gjelaj dhe Rita Gjelaj.

Në hapje të aktivitetit, dy vajza shqiptare të veshura më xhubleta, i dhuruan lule të freskëta autorit Zhiti dhe bashkëshortes Edlira.

Dr. Gjelaj bëri një rezumé të shkurtër të veprave të autorit. Dr. Gjelaj tha ndër të tjera se me këtë promovim, në prezencën autorit eminent Visar Zhitit kemi për qëllim për të zgjuar dashrinë, kujdesin dhe vlerësimin kaq të dëshirueshëm dhe tejet të nevojshëm ndaj librit, gurrës së diturisë dhe autorëve që po shndrisin në botën e letërsisë shqiptare, sic asht fort i nderuari Visar Zhiti”.

Në lidhje me Romanin “Këpuca e Aktorit” paraqiti referencën e tij z. Valentin Lumaj, i cili bëri një zbërtim letrar të veprës. Z. Lumaj ndër të tjera tha se ky roman vjen para lexuesve si një vepër shume-dimensionale, si një amalgamë vlerash autentike shqiptare, ku përzihen epoka, ngjarje, personazhe fiktive dhe reale dhe pikëpamje të ndryshme

Lumaj theksoi se romani përmbante të gjitha metodat e të shkruarit në prozë, si stili personal, përshkrues, historik, rrëfyes, informues, vlerësues dhe bindës. Lumaj u theksoi se gjuha e pastër shqipe e përdorur në roman, ka të përpunuar në shkallën më të lartë elementet e saj letrrtë dhe sintaksorë. Gjithashtu ai theksoi se romani ka në gjerësinë e tij vlerësime të shumta psikologjike, përsiatje dhe mendime të thella logjike të natyrës Kafkane, ndjenja dhe brenga personale që autori Zhiti i përcjell tek lexuesi nëpërmjet një personazhi fiktiv në libër.

Ai shtoi se romani “Këpuca e Aktorit” ka jetë brenda tij, ka ndjenjë, përjetim, rrënqethje, është

kulturë dhe ja rekomandonte gjithkujt, sidomos rinisë shqiptaro-amerikane, që të njohin dhe

kuptojnë realizimin e pasioneve dhe ëndërrave të rinisë nën një regjim diktatorial, kjo në kontrast me mundësitë e reja dhe të pafundme amerikane dhe të bëjnë diferencën, si motivim për të ardhmen e tyre”.

Profesori i Fizikës dhe drejtori i ACTV, Eduard Aliko bëri një shpjegim të zgjeruar të vlerave njerëzore dhe intelektuale të Shkrimtarit Visar Zhiti. Prof. Aliko theksoi se Visar Zhiti si poet dhe shkrimtar u mbrujt në kushte jashtëzakonisht të vështira, të terrorit, presionit dhe burgjeve komuniste. Edhe pse ne burg, Zhiti arriti që të ruajë në shkrim dhe në memorie pothuajsë të gjithe veprën e tij poetike të burgut, që sot vjen para shqiptarëve si një dëshmi e gjallë dhe një testament për brezat. Ai tha se Visar zhiti jo vetëm si shkrimtar dhe poet disitent, ish i burgosur për poezitë e tij, por edhe si diplomat shqiptar, që ka shërbyer në Vatikan dhe Washington DC, si politikan, ish-ministër i kulturës, studiues, përkthyes dhe gazetar, Visar Zhiti ishte dhe është figura më e plotë dhe përbashkuese shqiptare për të qenë President i Shqiptarëve. Ai theksoi se në kushtet e një regjimi të neokomunizmit në Shqipëri, njerëzit e mëdhenj dhe vizionarë si Visar Zhiti nuk e marrin kurrë vlerësimin që meritojnë.

Në emër të Organizatës Studentore Shqiptaro Amerikane të Universitetit Shtetëror të Michiganit, foli studentja Angela Lumaj. Ajo foli mbi kontrastin e thellë midis jetës që ka pasur fatin të jetojë në Shtetet e Bashkuara dhe realitetit sfidues me të cilin u përballën ata që jetuan në Shqipërinë komuniste. Ndër të tjera ajo tha: ”Nëpërmjet letërsisë së Zhitit, ne kapim një vështrim të qëndrueshëm dhe palëkundur të shpirtit të popullit shqiptar në ato kohë sfiduese. Vargjet e tij ndriçuan betejat me të cilat u përballën, mallin për liri që digjej në zemrat e tyre dhe shpresën e paepur që i mbajti të ecnin. Vepra e tij shërben si një kujtesë e fuqishme e forcës dhe këmbënguljes së popullit shqiptar, dhe unë jam mirënjohës për aftësinë e tij për të kapur thelbin e tyre në vargjet e tij”.

Më pas përshendeti Famullitari i Kishës Zoja Pajtore, i cili falenderoi shkrimtarin Zhiti për prezencën e tij dhe të librit të tij më të ri. Dom Ndue Gjergji u shpreh se vepra e Visarit është e ngjashme me veprat e meshtarëve të burgosur dhe të persekutuem, si ajo e dom Simon Jubanit, “Burget e Mija”, vepra e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue” apo ajo e At Konard Gjolajt, “Çinarët”. Dom Ndou tha se në inagurimin e Qendrës Kulturore Nënë Tereza, Visa Zhiti është shpallur anëtar i përjetshëm i kësaj Qendre dhe është gjimonë i mirëpritur në aktivitetet tona.

Dom Fred Kalaj përshëndeti më pas mysafirët dhe pjesëmarrësit. Ai tha se natyra njerëzore është krijuar në atë mënyrë që shumë njerëz nga ana e mendësive akoma jetojnë në të shkuarën, dhjetra apo qindra vite pas, por ka njerëz që vijnë si dritë dhe ndriçojnë përpara rrugën e njerëzimit, dhe Visar Zhiti më veprën dhe vizionin e tij jeton jo vetëm të sotmen por edhe të ardhmen dhe i përket së ardhmes. Ai foli për dimensionet e jashtëzakonshme të Visarit, si njeri shumë thjeshtë e i përvuejt por shumë i fuqishëm në mendim, fjalë dhe vepra letrare, dhe shtoi se Zhiti është shkrimtari më i spikatur i letërsisë së sotme shqipe.

Më pas moderatorja, Rita Gjelaj ja dha fjalën bashkëshortës së Autorit, znj. Edlira Zhiti, e cila në fjalën e saj lidhi emrin e kësaj qëndre kulturore të Nënë Terezes me librin e Këpuca e Autorit, ku Nënë Tereza vjen në libër si personazh në disa kapituj. “Romani “Këpuca e Aktorit i ngjan një skenë që rrëfen histori, jo të Shqipërisë por të shqiptarëve, prandaj autori ka zgjedhur një shprehje të Nënë Terezes, “Jeta është lojë, luaje”, shtoi ajo. Znj. Zhiti e quajti si arritje të letërsisë shhqipe, futjen e figurës së Nënë Terezes, jo vetëm në Kishat tona dhe ne qendrat kulturore dhe të bamirësisë, por edhe ne art dhe letërsi. Ajo emfazoi se ishte hera e parë që Nënë Tereza paraqitet si personazh real në një roman letrar.

Veprimtari Taip Beshiri, solli në kujtesë jetën dhe vuajtjet e autorit Zhiti. Ai theksoi se vuajtjet e Visarit gjatë jetës së tij shprehen edhe karakterin e veprës së tij si një shëmbëlltyrë dhe personifikim e vujtjeve të nje kombi. Gjatë fjalës së tij, nuk munguan momentet e ndjeshmërisë emocionale të z. Beshiri i cili e mbylli fjalen duke thëne se ishte i lumtur qe kishte njohur një njeri të madh si Visar Zhiti dhe që ishte pjesë e ketij aktiviteti.

I fundit e mori fjalen autori Visar Zhiti. Ai u shpreh se ishte i emocionuar por edhe i lumtur qe komuniteti i Michiganit e mirepriti librin e tij. Ai theksoi se Kepuca e Aktorit megjithese ka brenda tij personazhe reale, ngjarje te verteta apo qendrime personale, prape mbetet nje veper “fiction” dhe duhet te shihet si roman dhe jo aotobiografi.

Organizatorët kishin pregatitur një resumé mbi jetën dhe bibliografi mbi veprën e autorit Visar Zhiti, e cila iu shpernda pjesëmarrësve

Në këtë aktivitet morën pjesë një numër i kënaqshëm lexuesish dhe studiuesish nga komuniteti shqiptar, dashamirë të artit, miq të autorit, ku ranë sy prezenca e drejtorit te Revistës Kuvendi, Pjetër Jaku, drejtorit të Albdreams Television, Rush Dragu, përfaqësuesi I Shoqatës Malësia e madhe dhe gazetari Luigj Gjokaj, poeti Gjon Kaçaj, veprimtarja Huana Kurti, aktivisti Luvigj Sterbyçi, veptimtari Gjek Lumaj, aktivisti Gjevalin Gjelaj, vëllai i artistit Sherif Merdani, Meleq Merdani, nipi i poetit të pushkatuar Trifon Xhagjika,, bashkëqytetarë të autorit nga Lushnja e të tjerë.

Aktiviteti u përcoll Live nga Albanian Community TV nga gazetari Prel Popaj dhe pronari i këtij televizioni Arben Spaho.

Më pas takimi vazhdoi me një bashkebisedë mes të pranishmëve dhe autorit. Pjesëmarrësit morën librin “Këpuca e Aktorit” dhe nënshkrimin e autorit Zhiti.

Në përmbyllje, organizatorët dhe këshilli I Kishës Zoja Pajtore shtruan një drekë për të ftuarit dhe pjesëmarrësit. Aktiviteti ishte i mirëpregatitur dhe në parametra seriozë dhe i suksesshëm.