Në Rusi, arrestohen mbi 3900 protestues kundër luftës në Ukrainë

Moskë, 6 mars 2022 – Rreth 3900 persona u ndaluan gjatë protestave të së dielës që u mbajtën në 53 qytete anembanë Rusisë kundër agresionit rus në Ukrainë, sipas grupit të pavarur monitorues të protestave OVD-Info me bazë në Rusi.

Mijëra protestues brohorisnin “Jo luftës!” dhe “Turp të kesh!”, sipas videove të postuara në rrjetet sociale nga aktivistë e blogerë opozitarë.

Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur pamjet dhe fotografitë që qarkullonin në mediat sociale, ose të kontaktonte ministrinë e brendshme ruse për komente mbi këtë çështje.

“Ne jemi dëshmitarë të censurës ushtarake”, tha nga Tbilisi për ‘Reuters’ Maria Kuznetsova, zëdhënëse e OVD-Info, gjatë një bisede telefonike.

“Ne po shohim sot protesta mjaft të mëdha, madje edhe në qytetet siberiane ku rrallë kemi parë një numër të tillë arrestimesh”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme Irina Volk tha se 1700 persona u arrestuan në Moskë dhe 750 u arrestuan në Shën Petersburg. Personat e arrestuar në Moskë ishin në mesin e rreth 2,500 personave që morën pjesë në një miting të paautorizuar, tha zonja Volk, e cila u citua nga agjencia e lajmeve TASS.

Autoritetet ruse paralajmëruan të shtunën se çdo përpjekje për të zhvilluar protesta të paautorizuara do të parandalohej dhe organizatorët do të mbanin përgjegjësi. Disa media ruse të kontrolluara nga shteti publikuan njoftime të shkurtra në lidhje me protestat.

Agjencia ruse e lajmeve RIA tha se sheshi Manezhnaya në Moskë, ngjitur me Kremlinin, ishte ‘çliruar’ nga policia, e cila kishte arrestuar disa pjesëmarrës të një proteste të paligjshme kundër operacionit ushtarak në Ukrainë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*