Në Rusi, një kritik i Kremlinit nxirret nga aeroplani dhe arrestohet

Shën Petersburg (Rusi),1 qershor 2021 – Ish-drejtori ekzekutiv i lëvizjes pro-demokracisë në Rusi,  Rusia e Hapur, e themeluar nga kritiku i Kremlinit, Mikhail Khodorkovsky, u nxor nga një aeroplan në Shën Petersburg dhe u arrestua, raporton Radio Evropa e Lirë

Andrei Pivovarov u mor për pyetje në Shën Petersburg dhe u arrestua për shkelje të pretenduara të ligjit mbi “organizatat e padëshirueshme”, tha avokati i tij.

Autoritetet ruse nuk kanë dalë ende me ndonjë koment.

Pivovarov u nxor nga aeroplani që do të udhëtonte për në Varshavë, derisa ai ishte në aeroportin “Pulkovo”.

Në një postim në aplikacionin “Telegram”, Pivovarov tha se autoritetet planifikojnë ta dërgojnë atë në qytetin Krasnodar, për arsye ende të panjohura.

Aktivistët e organizatës civile “Rusia e Hapur” janë përballur rregullisht me presion, qëkur prokurorët rusë e kanë shpallur atë si “organizatë të padëshirueshme”, në vitin 2017.

Ligji për “organizatat e padëshirueshme” është miratuar në vitin 2015. Ai është pjesë e disa dispozitave të Kremlini që kanë në shënjestër shumë organizata jofitimprurëse dhe joqeveritare që marrin fonde nga burime të huaja, kryesisht nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

(r.m.)