Në Rusi, sulmohet me bojë të kuqe fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov

Moskë, 8 prill 2022 – Dmitry Muratov, kryeredaktori i njërës prej gazetave kryesore të pavarura ruse, “Novaya Gazeta”, njoftoi se është sulmuar nga një person i panjohur, i cili i kishte hedhur në fytyrë një përzierje të bojës së kuqe me açeton.

Zoti Muratov, fitues i çmimit Nobel për Paqe për vitin 2021 së bashku me gazetaren filipinase Maria Ressa, ndodhej në tren, në momentin e sulmit. Ai ishte nisur nga Moska drejt Samaras.

Në një foto të publikuar nga gazeta, zotiMuratov shihet i mbuluar tërësisht me bojë të kuqe.

“Muratov, kjo është për djemtë tanë”, citohet të ketë thënë sulnuesi, para se t’ia hidhte bojën në fytyrë.

Duke folur mbi sulmin për botimin evropian të gazetës “Novaya Gazeta, Muratov ka thënë se nga solucioni që i është hedhur në fytyrë po i digjnin shumë sytë.

“Novaya Gazeta”, gazeta kryesore e pavarur ruse, e kishte pezulluar veprimtarinë muajin e kaluar, pasi kishte marrë paralajmërime nga autoritetet ruse.

Gazeta ishte paralajmëruar dy herë nga rregullatori shtetëror i mediave, Roskomnadzor.

Më herët, të enjten, gazetarët e “Novaya Gazeta” që janë larguar nga Rusia për shkak të goditjes së vazhdueshme të raportimit të pavarur thanë se e kanë hapur një media të re që synon të mbulojë lajmet dhe zhvillimet në Rusi dhe në mbarë botën, në gjuhën ruse dhe disa gjuhë të tjera.

Rusia ka vendosur kufizime të rrepta për raportimet e medias për  luftën e Rusisë në Ukrainë.

Disa media të tjera ruse kanë zgjedhur të pezullojnë veprimin, në vend që të përballen me kufizime të rënda.

Kremlini e ka bllokuar veprimtarinë e shumë mediave të huaja.

(Zëri i Amerikës)