Në Rusi vazhdon mobilizimi i rezervistëve të ushtrisë

Moskë, 23 shtator 2022 – Rezervistët e parë nisën të grumbullohen në qytete të ndryshme të Rusisë, pas thirrjes së presidentit Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm të popullsisë. Qindra burra u panë duke u përshëndetur me familjarët e tyre në rajonin Jakutia. Ata ankohen se kanë pak informacion mbi atë që i pret. Kjo situatë duket se ka nxitur një numër të madh rusësh që të largohen nga vendi, qoftë me aeroplan, apo përmes kufijve tokësorë.

Në Jakutia, një rajon në lindjen e largët të Rusisë, kanë filluar rekrutimet pas urdhërit të presidentit Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm të rezervistëve, për të forcuar ushtrinë në luftën kundër Ukrainës.

Në kryeqytetin Jakutsk, një sallë sporti u kthye në qendër grumbullimi për rekrutët e rinj, të cilët do të dërgohen në njësitë ushtarake të qarkut lindor.

Një nga të rekrutuarit i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se nuk e priste që letra e thirrjes për t’iu bashkuar ushtrisë do t’i jepej në rrugë.

“Po çoja vajzën në kopsht dhe në rrugë më dhanë letrën e thirrjes. Menjëherë erdha këtu. Jam mirë, po ruaj qetësinë. Shpresoj që nuk do të jem larg për shumë kohë. Kam shërbyer në marinë, në Petropavovsk para dhjetë vitesh”, thotë Pavel Sokolov.

This image has an empty alt attribute; its file name is Mobilizimi-i-rezervisteve-te-ushtrise-ruse-2.jpg

“Momenti më i vështirë është kur përshëndetesh me fëmijët”, thotë një rekrut tjetër që mezi i mban lotët.

“Sigurisht që jam gati ta mbroj atdheun, por jo tani, jo këtë herë. Mendoj se nuk është lufta ime. Është ndoshta lufta e rusëve dhe ukrainasve, por jo e imja”, thotë një rekrut tjetër.

Thirrja e presidentit rus Putin për 300 mijë rezervistë nuk kishte shumë hollësi dhe ushtria njoftoi ngritjen e një qendre për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve.

Një numër i madh rusësh nxituan të blejnë bileta avioni për të ikur nga vendi.

This image has an empty alt attribute; its file name is Largimi-i-ruseve-pas-vendimit-per-mobilizim.jpg

Ngarkesë vërehet edhe në daljet tokësore nga Rusia. Kolonat e makinave në kufirin rus me Finlandën arrijnë deri në 500 metra.

Rreth 7 mijë njerëz kaluan kufirin nga Rusia në Finlandë të enjten, prej të cilëve 6 mijë ishin rusë, një rritje prej 107 për qind krahasuar me të njëjtën ditë, një jave më parë, thanë rojet kufitare.

Kufiri me Finlandën është një nga pikat e pakta tokësore përmes së cilës rusët mund të futen në Evropë, pasi një numër i madh vendesh kanë mbyllur kufijtë tokësorë dhe hapësirën ajrore për aeroplanët rusë, si kundërpërgjigje për sulmin e Moskës kundër Kievit.

Rusia i ka quajtur si të ekzagjeruara lajmet për interesimin e madh të meshkujve rusë për t’u larguar nga vendi.

(Zëri i Amerikës)