Në Serbi, dënohen me 100 vjet burgim autorët e vrasjes së gazetarit Sllavko Quruvija

Beograd, 2 dhjetor 2021 – Katër ish-pjesëtarë të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë janë dënuar me 100 vjet burg për vrasjen e gazetarit Sllavko Quruvija.

Radomir Markoviq dhe Millan Radonjiq janë dënuar me nga 30 vjet burgim, kurse Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak janë dënuar me nga 20 vjet burgim, raportojnëmediet në Serbi.

Mirosllav Kurak gjendet ende në arrati.

Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte.

Në fillim të vitit 1996, Quruvija ishte larguar nga pozita e kryeredaktorit të gazetës shtetërore “Borba”, për shkak të pikëpamjeve të tij të papajtueshme me pushtetin e Slobodan Millosheviqit.

Pas largimit, ai e kishte themeluar gazetën javore “Nedeljni Telegraf” dhe gazetën e parë të pavarur në Serbi “Dnevni telegraf”. Më pas e kishte themeluar edhe gazetën javore “Evropljanin”.

Quruvija ishte kritik i madh i Presidentit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Për këtë arsye, më 14 tetor 1998, regjimi i Milosheviqit e kishte ndaluar botimin e gazetë së tij “Dnevni Telegraf”, por gazeta kishte filluar të shtypej në Mal të Zi dhe të distribuohej në Serbi.

Sipas aktakuzës, Quruvija ishte vrarë nga dy burra të maskuar në qendër të Beogradit, para banesës në të cilën banonte, derisa ishte bashkë me partneren e tij, Branka Përpa. Në aktakuzë thuhet se njëri prej të akuzuarve, Mirosllav Kurak, ka shtënë me breshëri automatiku nga një distancë prej vetëm një metri e gjysmë. Viktima ishte rrëzuar përtokë dhe sulmuesi kishte shtënë sërish nga afërsia.

Partnerja e gazetarit Quruvija, Branka Përpa, ishte plagosur. Ajo ishte qëlluar me revole nga Ratko Romiq, që të mos i shihte autorët e vrasjes.

(r.m.)

Comment

*