NË SHBA KUJTOHEN VIKTIMAT E KOMUNIZMIT – NË SHQIPËRI GLORIFIKOHET REGJIMI I ENVER HOXHËS

Nga Frank Shkreli

Frank Shkreli

Madje edhe gjatë një fushate elektorale për Kuvendin e ri të Republikës së Shqipërisë – një vendi anëtar të NATO-s, një aleancë ushtarake kjo më e fuqishmja që ka njohur ndonjëherë bota dhe e cila 70-vjet më parë u themelua pikërisht me qëllimin për të luftuar diktaturat e regjimeve komuniste të lindjes, si ai i Shqipërisë enveriste.

Duhet të flasim me emëra.  Këtë fushatë, të ditëve të fundit, për glorifikimin e komunizmit e hapi Kryeministri aktual, Edi Rama në Parlamentin Shqiptar para disa javësh, me deklaratën e tij famëkeqe dhe të turpshme se, “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Pasuar nga të tjerë, përfshir kohët e fundit, veteranën e kësaj partie Luljeta Bozo — të parën e listës socialiste në Tiranë dhe Ministrin socialist, Damian Gjiknurin në Vlorë, i cili ditët e fundit, po ashtu si Bozo deklaroi se “komunizmi kishte bërë më shumë të mira sesa të këqia”.  Nuk më çudit aspak fakti se brenda Partisë Socialiste nuk ka më njerëz që tu thonë këtyre nostalgjikëve të komunizmit, “ore mjaft me deklarata të tilla të pa përgjegjëshme se jemi anëtar të NATO-s dhe kemi pretendime t’i bashkohemi Bashkimit Evropian…”.   

Është e qartë tani pas 30-vjet post-komunizëm se Shqipëria nuk e ka ndër mend të distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe as nga krimet e atij regjimi – më famëkeqit në Evropë dhe në botë.  Deklaratat e fundit të nostalgjikëve kokëfortë të komunizmit shqiptar dhe të përfaqësuesve të regjimit aktualë të Shqipërisë e bejnë mjaft të qartë se partia në fuqi, shpresat e fitores i ka tek promovimi i vlerave enveriste.  Me këto deklarata, filluan të na mësohen edhe veshët tashti, ç’pret më prej tyre.  Por megjithë pretendimet e tyre se ata ndajnë vlerat amerikano-perëndimore, hipokrizi më të madhe nuk ka, sepse e vërteta është se vlerat e Amerikës nuk janë ato të komunizmit ndërkombëtar dhe të komunizmit stalinist enverist, jo se jo.  Nëqoftse votuesit shqiptarë dëshirojnë një frymë të vazhdueshme enveriste në shoqëri dhe në qeverisjen e tyre – ta gëzojnë – pasi këtë të drejtë ua jep demokracia – ama vetëm nëqoftse fitojnë me vota të lira e të ndershme, sipas standardeve ndërkombëtare.

Por ajo që vërtetë më çudit pa masë është heshtja e përfaqësive diplomatike perëndimore në Tiranë ndaj shprehjeve të tilla pro-komuniste nga udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë, me të cilët diplomatët komunikojnë pothuaj çdo ditë.  Me të drejtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të luftojnë korrupsionin ekonomik dhe të ndërtojnë diçka që deri diku i përngjet një shteti ligjor në Shqipëri. Por megjithë respektin që kam për punën e tyre nuk besoj se do të dalin me sukses në reformën e drejtësisë dhe as në luftën kundër korrupsionit nëqoftse, të pakën, nuk deklaroheni publikisht edhe kundër krimeve të një ish-regjimi kriminal, pasojat e të cilit vazhdojnë të ndjehen edhe sot — jo vetëm në politikë dhe në ekonomi — por në çdo fushë të veprimtarisë së vendit.  Është pikërisht trashëgimia e komunizmit dhe njerëzit që i kanë shërbyer atij sistemi – ish-zyrtarë me disa prej të cilëve kini në mend të reformoni sistemin e sotëm të drejtësisë.   Heshtja e diplomatëve perëndimorë ndaj deklaratave të tilla pro-komuniste të udhëheqsve më të lartë të qeverisë shqiptare dhe të kandidatëve për në parlamentin e ri të Shqipërisë – “flet vëllime të tëra” — 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit.  Vrasja, burgimi, internimi, dënimi — gjyq e pa gjyq — puna e detyruar e njerëzve të pafajshëm në komunizëm besoj se duhej të ishte aq e dënueshme, të pakën të kritkohej, sa edhe vjedhjet e një hajduti sot.

Të nderuar përfaqësues diplomatikë perëndimorë në Tiranë, HESHTJA ndaj këtyre dukurive, në një vend si Shqipëria, nuk u bën nder ju si individë dhe as vlerave të shteteve demokratike perëndimore që ju përfaqësoni në atë vend.  Sa i përket të kaluarës komuniste në Shqipëri, megjithëse vonë, ka ardhur koha t’i thoni të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, ashtu siç kanë bërë ish-vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore.  Shqipëria ka nevojë për ndihmën tuaj që të distancohet seriozisht nga e kaluara komuniste ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon t’i bashkohet vlerave të botës perëndimore.

Një prej këtyre vlerave është pikërisht kujtesa kushtuar viktimave të komunizmit botëror, përfshir kujtesën e viktimave të komunizimit në Shqipëri.  Në një njoftim për median, Fondacioni i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, përshëndet hapat që mori ditët e fundit Dhoma e Përfaqsuesve e shtetit Teksas në Shtetet e Bashkuara, duke organizuar një sesion dëgjimor me qëllim të miratimit të një ligji për të përcaktuar “7 Nentorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit” në atë shtet.  Megjithëse amerikanët, fatbardhësisht, nuk i kanë përjetuar kurrë “gjërat e shumta pozitive të komunizmit”, siç pretendojnë nostlagjikët komunistë në Shqipëri, Teksasi po i bashkohet 12 shteteve të tjera amerikane që kanë vendsur me ligj tanimë përkujtimin e kësaj date për nder dhe respekt ndaj viktimave të regjimeve të komunizmit  në botë, të gjallë e të vdekur.

          Përfaqësuesi i shtetit Teksas, Tom Oliverson (djathas) me dëshmitaren e Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, shqiptaro-amerikanën, Dr. Elida Dakolin (majtas)

Sponsorizuesi i këtij projektligji, Z. Oliverson u shpreh me këtë rast se, “Lartë nga 100-milion njerëz të pafajshëm janë vrarë nga regjimet komuniste ç’prej themelimit të regjimit të parë komunist më 7 nentor, 1917, në Rusi. Kjo është humbja më e madhe në njerëz në krahasim me çdo ngjarje tjetër në historinë e njerëzimit dhe si rrjedhim ne nuk guxojmë ti harrojmë tmerret e komunizmit.  Ashtu siç na kujtojnë edhe memorialet në kujtim të holokaustit që brutaliteti nazi-fashist të mos përsëritet kurrë më, gjithashtu ky memorial shërben si një kujtesë e qartë e premtimeve boshe të komunistëve kudo si dhe e trashëgimisë brutale të vuajtjeve njerëzore, që kanë lënë pas komunistët”, ka thenë ligjvensi i shtetit Teksas, Tom Oliverson.

Në njoftimin për median, Fondacioni i Kujtimit të Viktimave të Komunizmit në Washington, thuhet se ishte një nder për këtë organizatë që të përfaqësohej në sesjonin dëgjimor të Dhomës së Përfaqsuesve të shtetit Teksas, nga Këshilltarja e këtij Fondacioni, shqiptaro-amerikanja, Dr. Elida Dakoli, e cila dëshmoi disa ditë të shkuara para ligjëvensve të Teksasit përvojën e familjes së saj nën regjimin komunist të Shqipërisë.

“Kurë gjyshi im kishte refuzuar t’i dorëzonte partisë komuniste shqiptare pasurinë dhe mallin, ai u burgos, shtëpia e tij u shkatërrua dhe gjyshja ime dhe katër fëmijt e saj të vegjël të moshës 2-12 vjeç – përfshir babain tim – u hodhën në rrugë pa asgjë të tyren. Vëllai i saj tregoi guxim për atë kohë duke strehuar gjyshen time dhe fëmijtë e saj, por gjyshin tim e kishin vrarë në burg. Sot e kësaj dite ende nuk dimë se ku e ka varrin.  Persekutimi i familjes time nga komunizmi vazhdoi, pa ndërprerje, për katër breza”, u tha shqiptaro-amerikanja Dr. Elida Dakoli ligjëvensve të shtetit Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Fondacioni amerikan i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit përshëndeti nismën e shtetit Teksas për të njohur, “7 Nëntorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit”, ashtuqë krimet e kësaj ideologjie imorale komuniste të mos harrohen kurrrë, përfundon njoftimin për media, Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington.

 Duan a s’duan nostalgjikët e sotëm dhe mbështetsit e djeshëm të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, e vërteta e krimeve të atij regjimi immoral, po del në dritë dal ngadalë për ta parë e gjithë bota. Askush nuk i beson më pretendimet e disa nostalgjikëve të përmendur më lartë se ai regjim kishte më shumë gjëra pozitive se sa negative”, e më së paku ta besojnë vet shqiptarët. Një pretendim i tillë është aq i pa përgjegjëshëm dhe i pa moralshëm, qoftë edhe në zhvillimin e një fushate elektorale, nga udhëheqsit më të lartë të vendit.  Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se kaq nga udhëheqsit e tyre por edhe nga ndërkombëtarët të cilët heshtin përball dukurive dhe prirjeve të tilla arrogante  që sprovojnë keq durimin e një populli tepër të vuajtur, atëherë dhe sot.

Frank Shkreli

Comment

*