Në SHBA shpallet festë zyrtare dita që përkujton fundin e skllavërisë

Uashington, 17 qershor 2021 – Presidenti i ShBA Joe Biden nënshkroi të enjten një ligj që shënon shpalljen e një feste të re kombëtare, ditën që përkujton fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Kjo ditë do të përkujtohet çdo vit më 19 qershor.

Në vitin 1865 ushtarët e Unionit informuan një grup skllevërish afrikano-amerikanë në Galveston të Teksasit, se ishin tashmë të lirë, afro 2 vjet e gjysmë pas nënshkrimit nga Presidenti Abraham Lincoln të Deklaratës për Lirimin e skllevërve.

Aktualisht shumë shtete amerikane e kanë shpallur festë ditën që njihet si Juneteenth-in.

Kjo ditë u bashkohet 10 festave të tjera federale dhe është e para që shtohet që kur dita që përkujton lindjen e udhëheqësit për të drejtat civile në ShBA, Martin Luther King Jr., u bë festë federale në vitin 1983.

Ligji për shpalljen e kësaj date si festë arrin në tavolinën e Presidentit Biden pas miratimit në bllok të tij në Senat të martën dhe një vote në shumicë dërrmuese pro tij të mërkurën në Dhomën e Përfaqësuesve, që rezultoi me 415 vota pro dhe 14 kundër.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*