Në SHBA shtohen infektimet me variantin “Delta” të koronavirusit

Uashington, 24 korrik 2021 – Varianti “Delta” i koronavirusit aktualisht është mutacioni që po dominon në Shtetet e Bashkuara, me rreth 83 për qind të të infektuarve. Ekspertët thonë se “Delta”, varianti më shqetëses deri më tani,  ka aftësi të mëdha ngjitëse dhe përhapjeje, raporton Zëri i Amerikës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varianti “Delta” është rreth 60 përqind më ngjitës se varianti “Alfa”, i zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar.

Ekspertët thonë se varianti “Delta” mund të përhapet shumë më lehtë se të gjitha variantet e tjera në një mjedis ku njerëzit nuk janë të vaksinuar apo nuk përdorin maska.

Shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit e infektuar me variantin “Delta” kanë nivele shumë më të larta të pranisë së virusit, krahasuar me mutacionet e mëparshme, çfarë rezulton se ky variant i virusit është shumë më ngjitës se variantet tjera.

Në qytetin e Siatëllit, në shtetit e Uashingtonit, zyrtarët e shëndetit publik kanë nxjerrë urdhra për përdorimin e maskave në mjediset e brendshme publike, si pasojë e shtimit të infektimeve me variantin “Delta”. Urdhri po zbatohet edhe për pjesën e vaksinuar të popullatës.

Shumica e amerikanëve që nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 thonë se nuk ka gjasa të imunizohen, duke hedhur dyshime se vaksinat nuk janë efektive kundër variantit “Delta”. Gjetjet u publikuan në një sondazh të ri që nxjerr në pah sfidat me të cilat përballen zyrtarët e shëndetit publik ndërsa numri i infeksioneve po rritet në disa shtete.

Një pikëpyetje e madhe është ngritur nëse mutacioni “Delta” i bën njerëzit më të sëmurë se varianti fillestar i virusit, diçka që ende po studiohet.

Por, ajo që dihet me siguri është se personat që nuk janë të vaksinuar plotësisht janë më të rrezikuar. Autoritetet spitalore anembanë vendit thonë se ata që janë shtruar në spital me variantin “Delta” janë më të rinj në moshë, krahasuar me prirjen e valëve të mëparshme të përhapjes së pandemisë.

Tash për tash, mjekët thonë se vaksinimi është mbrojtja më e mirë nga varianti “Delta”.

(r.m.)