Në Shqipëri, aktivizohet shtabi i përparuar i forcave speciale amerikane në Europë

Tiranë, 9 mars 2022 – Në Tiranë sot u zhvillua ceremonia e aktivizimit të shtabit të përparuar të forcave operacionale amerikane në Europë, të cilat do të kenë një bazë të përhershme në Shqipëri.

Shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Bajram Begaj shpjegoi se kjo prani “do t’i shërbejë rritjes së ndërveprueshmërisë, do të rrisë efikasitetin, duke ofruar më shumë trajnime, dhe do të zhvillojë kapacitetet e forcave speciale edhe të vendeve të tjera të NATO-s në rajon”.

Ky shtab do të shtrijë veprimtarinë e tij në të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Ky shtab do t’u ofrojë partnerëve dhe aleatëve aksesin dhe fleksibilitetin për të mundësuar zhvillimin më të mirë e më të shpejte e më me efikasitet të operacioneve”, u shpreh gjeneral major Begaj.

Për komandantin e operacioneve speciale amerikane në Europë, Davi Tabor, objektivi është “të stërvitim aleatët dhe partnerët tanë duke përmirësuar aftësitë tonë e duke qëndruar të pozicionuar për t’ju përgjigjur krizës nëse ndodh”.

Ai u shpreh se “aftësitë e forcave të operacioneve speciale mundësojnë stabilitet në rajon. Ky është një hap tjetër përpara ndërsa rrisim bashkëpunimin me partnerët tanë në Ballkan”.

Ministri shqiptar i mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi gjatë ceremonisë se dislokimi i këtij shtabi është një tjetër provë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për rritjen e aftësive ushtarake të vendeve të rajonit.

Sipas tij, vendimi erdhi në kohën e duhur, në kulmin e pasigurisë dhe situatave të zymta që po kalon Europa me agresionin rus në Ukrainë, ndërsa vuri në dukje “përpjekjet e Rusisë për të shfrytëzuar hapësira të caktuara dhe në rajonin e Ballkanit”.

Sipas shefit të shtabit të ushtrisë shqiptare “situata në rajonin tonë duket e qetë po është delikate se dhe incidentet më të vogla mund të përshkallëzohen dhe vënë në rrezik stabilitetin e të gjithë rajonit”.

“Forcat speciale kanë rëndësi për rolin e tyre në reagimin e shpejtë në rast nevoje por dhe për të siguruar fleksibilitetin e forcave të tjera nëse nevojiten”- tha shefi i shtabit.

Nga ana tjetër, shtoi gjeneral major Begaj “për qytetarët e Ballkanit është i rëndësishëm mesazhi që përcillet se rajoni ka rëndësi strategjike, politike dhe ushtarake, dhe ka interesin e vëmendjen e SHBA-ve dhe NATO-s”.

“Kjo tregon qartë se SHBA-të janë të përkushtuara për ruajtjen e paqes në Ballkan veçanërisht në kohë si këto ku kohezioni dhe bashkëpunimi mes aleatëve është vendimtar” – theksoi zoti Begaj.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, shpjegoi se zgjedhja e Shqipërisë si bazë e shtabit të përparuar lidhet me partneritetin e ngushtë dhe respektin në rritje për Shqipërinë si një parter i Shteteve të Bashkuara për sigurinë.

Vendimi nga pala amerikane u bë ditur në muajin janar duke nënvizuar se “vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik. Kjo vendndodhje, redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)