Në Shqipëri, arrestohen 35 të dyshuar për mashtrim përmes Call Center

Tiranë, 24 dhjetor 2021– Policia e Shtetit i ka arrestuar të premten 35 persona të dyshuar për organizimin e një skeme të mashtrimit, përmes qendrave të thirrjes (Call Center) në Shqipëri. 20 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia njoftoi se në mesin e të arrestuarve është edhe një shtetas izraelit, i cili dyshohet të jetë organizatori i skemës së mashtrimit.

“Ka rezultuar që shtetasi izraelit është organizatori i kësaj skeme mashtrimi”, ka thënë Tonin Vocaj, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Ai ka bërë të ditur se gjatë hetimit disa mujor u zbulua se RG Capital, në bashkëpunim me persona të tjerë, po tërhiqnin “klientë” në skenën e mashtrimit.  

“Prej disa vitesh një subjekt tregtar RG Capital zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrës së thirrjeve telefonike ose sic njihet Call Center, u evidentuan viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë vendit. Hetimet prej disa muajsh bënë të mundur identifikimin e dejtuesve të këkij subjekti, skemën e funksionimit e fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal”, ka thënë Vocaj.

Sipas tij në këtë skemë mashtrimi janë përfshirë mbi 2 milionë persona nga shtete të ndryshme të botës.

“Gjithashtu deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar këta shtetas dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik, duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare të cilat varionin nga 500 euro e sipër. Personat e kontaktuar nga kjo skemë mashtrimi janë mbi 2 milionë dhe ndodhen në shtete të ndryshme të botës”, ka theksuar Vocaj.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit Tonin Vocaj, së bashku me prokuroren e Rrethit Gjyqësor Tiranë Elisabeta Imeraj, konferencë për shtyp për operacionin policor të koduar “Komunikimi”.

Njësia C për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga data 23.12.2021 deri më 24.12.2021 ka realizuar operacionin policor të koduar “Komunikimi”.

Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bazë të informacioneve të marra dhe duke u koordinuar me partnerët e saj, ka evidentuar dhe ka filluar hetimet së bashku me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje më një aktivitet kriminal në fushën e mashtrimeve kompjuterike, e cila kishte të bënte më mashtrimin e shtetasve të huaj nëpërmjet rrjetit kompjuterik.

Nga hetimet e zhvilluara rezultonte se prej disa vitesh një subjekt tregtar nën emërtimin “RG Capital“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave të thirrjeve telefonike ose siç njihet në vendin tonë “Call center“. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Hetimet intensive prej disa muajsh të zhvilluara në vendin tonë bënë të mundur identifikimin e drejtuesve të këtij subjekti, skemën e funksionimit, si dhe fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal.

Nga veprimet hetimore të kryera, si dhe nga ndërhyrja policore në subjektin “RG Capital“, nga ana e Njësisë së Hetimit të Krimeve kibernetike, e mbështetur dhe nga strukturat e tjera të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u realizua operacioni policor “KOMUNIKIMI“, ku u kontrolluan disa ambjente në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

U arrestuan në flagrancë 35 shtetas, nga të cilët njëri i huaj, konkretisht shtetasi izraelit Refael Genish, i cili nga hetimet ka rezultuar se është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe u proceduan në gjendje të lirë 20 shtetas.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

123 pajisje kompjuterike

60 pajisje të telefonisë së lëvizshme

3 laptop

2 USB

karta të bardha të ngjashme me ato të bankave

një sasi e vogël lënde narkotike e llojit cannabis sattiva.

Gjithashtu deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar këta shtetas dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik, duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare të cilat varionin nga 500 euro e sipër. Personat e kontaktuar nga kjo skemë mashtrimi janë mbi 2 milionë dhe ndodhen në shtete të ndryshme të botës.

Hetimet vazhdojnë dhe për të rejat e këtij hetimi do të kemi komunikime të tjera.

(r.m.)