Në Shqipëri, dështon votimi i parë për zgjedhjen e presidentit

Tiranë, 16 maj 2022 – Në Shqipëri, raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dështoi, pasi nuk u paraqit asnjë kandidaturë. Parlamenti u mblodh megjithatë për të kryer procedurën, duke konstatuar mungesën e një propozimi.

Gjatë javës së shkuar shumica socialiste zhvilloi bisedime me dy nga grupet parlamentare të opozitës, ndërsa kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, nuk u përfshi në bisedime, duke dorëzuar një dokument me kriteret, që duhet të plotësojë një kandidat, si dhe duke bërë propozime mbi procedurën.

Edhe sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ai deklaroi se është në pritje të një përgjigje nga socialistët, të cilët i bëri fajtorë për djegien e raundit të parë, pa kandidatura. Edhe deputeti Oerd Bylykbashi, i caktuar si negociator nga mbështetësit e ish kryeministrit Berisha, këmbënguli në nevojën e zgjedhjes së një figure konsensuale. Por vetë grupi parlamentar demokrat është i përçarë në tre fraksione, dhe sipas deputetit Fatmir Mediu, i cili përfaqëson grupin “Aleanca për ndryshim”, opozita duhet të gjejë më parë konsensusin brenda vetes.

Pas seancës, zoti Alibeaj përsëriti se është në pritje të përgjigjes nga shumica mbi propozimin, që ai ka bërë për kriteret dhe procedurën, ku përfshihet dhe kërkesa që kandidaturat të ofrohen nga opozita dhe shumica të zgjedhë mes tyre.

Por kryeministri Edi Rama e hodhi poshtë një mundësi të tillë. “Për çfarë arsye duhet të bëjë kështu Partia Socialiste? Të dorëzojë të drejtën për të marrë pjesë në këtë proces e t’ia kalojë këtë drejtë, kujt? Kujt ekzatësisht se ne nuk po dimë më as kë kemi në anën tjetër, se kemi lloj-lloj copash e çikash”, u shpreh zoti Rama duke shtuar se “nuk më rezulton që ka ndonjë qartësi, ndonjë ide, ndonjë vullnet nga ana e palëve të tjera për t’u përfshirë në proces deri tani”.

Duke saktësuar dhe një herë se partia e tij refuzon të komunikojë me ish kryeministrin Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, kryeministri u shpreh se “ne jemi të gatshëm të flasim me çdo palë, pjesë, që do të donte të fliste me ne. Në rast se nuk duan të flasin, atëherë nuk kemi asnjë mundësi tjetër, përveç se me durim të presim e në momentin që hyjmë në raundin e katërt, të përdorim mandatin që na jep Kushtetuta për të zgjedhur presidentin apo presidenten e Republikës. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër”.

Pas dështimit të sotëm, pritet mbledhja e konferencës së kryetarëve e cila do të duhet të caktojë datën për raundin e dytë, jo më vonë se 7 ditë.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)