Në Shqipëri hapet ankandi për ndërtimin e parqeve eolike

Tiranë, 21 qershor 2021 – Shqipëria do të prodhojë energji elektrike edhe nga era, përmes parqeve eolike që pritet të ndërtohen së shpejti, duke vijuar kështu me diversifikimin e burimeve të energjisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi për hapjen e ankandeve dhe u bëri thirrje investitorëve që të bëhen pjesë e garës.

“Ankandi t’i japë mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte të cilat kanë kapacitet minimal 10 megavat dhe kapacitet maksimal 75 megavat. Në total çmimi i parafiksuar, përsa i përket këtij ankandi, do të drejtohet për 100 megavat në total të cilat do të blihen nga Republika e Shqipërisë për konsum dhe normalisht ky çmim do të jetë 75 euro tavani për megavat dhe ashtu siç kemi bërë edhe në ankandet e mëparshme ne i japim mundësi të gjitha kompanive konkurruese që të ofertojnë çmimin më të ulët. Por, sigurisht përveç çmimit më të ulët ne do të kemi dy faza përsa i përket vlerësimit të këtij ankandi”, tha ministrja Balluku.

Ajo bëri të ditur se, ashtu sikurse edhe në rastin e ankandeve fotovoltaike, procesi për ankandet e parqeve eolike do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë do të bëhet vlerësimi dhe verifikimi i kompanive që do të marrin pjesë në garë, duke nisur nga eksperienca teknike apo burimet financiare, kurse në fazën e dytë do t bëhet vlerësimi i ofertave.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi gjithashtu se i gjithë procesi është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me SECO, duke falënderuar për mbështetjen e dhënë ambasadorin zviceran në vendin tonë, si dhe BERZH.

“Ne kemi zhvilluar një studim të mirëfilltë, i cili sot do të vendoset në dispozicion të të gjitha kompanive të cilat do të duan të investojnë në sektorin e energjisë eolike dhe do të marrin pjesë në këtë ankand. Ky studim jep në mënyrë të qartë të gjitha zonat e mbrojtura në të cilat nuk mund të ndërtohen parqet eolike. Jep zonat të cilat kanë fizibilitetin më të lartë për prodhimin eolik në vend, dhe dua të theksoj që këto zona janë mbi 20% e territorit shqiptar, duke i dhënë kështu mundësi përzgjedhje në të gjitha rajonet e vendit tonë, qofshin këto në veri, apo në jug dhe sigurisht ato nisin nga një lartësi mbi 150 metra mbi nivelin e detit”, u shpreh Balluku.

Ajo  tha se fakti që ky ankand mbështetet mbi një studim të mirëfilltë dhe fakti që të gjithë investitorët do të kenë mundësi t’i zgjedhin dhe t’i përzgjedhin zonat do t’u japë atyre indicie se ku do të ishte më i favorshëm përtainvestimi dhe të përcajtojnë çmimet e ofertave.

Në ceremoninë e hapjes së ankandit morën pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ambasadori zviceran në Tiranë, Adrian Maître, dhe përfaqësues të BERZH-it. (r.m.)