Në Shqipëri, hetimet për incineratorët mbyllen me dy raporte të kundërta

Tiranë, 7 mars 2022 – Në Tiranë, komisioni hetimor parlamentar për incineratorët zhvilloi stot mbledhjen e fundit, ku u paraqitën dy raporte me përfundime të kundërta nga opozita dhe nga shumica.

Për socialistët, lejet dhe ndërtimi i tre incineratorëve ishin në përputhje me ligjin, ndërsa opozita theksoi se nga këto procedura korruptive buxheti i shtetit u dëmtua me 430 milionë euro.

Të dyja palët i bënë thirrje SPAK-ut të thellojë hetimet mbi aferën për të cilën, deri tani është paditur për korrupsion, ish ministri i mjedisit Lefter Koka.

Kryetarja opozitare e komisionit, Jorida Tabaku, paraqiti një raport prej 120 faqesh, i cili në fund nuk u miratua nga shumica e votave të anëtarëve socialistë të këtij komisioni hetimor.

Parlamentit do t’i dërgohet një material me qëndrimet e kundërta të të dy palëve.

Zonja Tabaku tha se buxheti i shtetit u dëmtua me 430 milionë euro pas procedurave në kundërshtim të hapur me ligjet për ndërtimin e tre impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Ajo theksoi se hetimi zbuloi krijimin prej një grupi të struktuar kriminal të skemës më të madhe mashtruese e korruptive të zbuluar ndonjëherë, me anë të të cilës qeveritarë të lartë socialistë vodhën fondet publike, duke shkelur ligjet përkatëse.

“Një aferë e këtyre përmasave nuk mund të mos kishte të përfshirë nivelet më të larta të politikës dhe shtetit, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, ministrat Ahmetaj, Gjiknuri dhe Koka, sekretarët e përgjithshëm Agaçi e Bllako, kryebashkiakët Veliaj, Sejdini e Subashi, dhe një zinxhir të tërë zyrtarësh publikë, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar vjedhjen galopante të parave të shqiptarëve” – tha zonja Tabaku.

Por anëtarët socialistë të këtij komisioni dhanë vlerësime krejt të kundërta në fund të hetimeve. Nënkryetarja e parlamentit dhe nënkyetarja e këtij komisioni, Ermonela Felaj, deklaroi në emër të shumicës se opozita keqpërdori fuqinë e këtij komisioni për të bërë propagandë kundër qeverisë të pabazuar në prova e fakte.

Në raportin voluminoz të socialistëve thuhet se me lejet, procedurat dhe zbatimin e projekteve për 3 incineratorët ligjet janë zbatuar me përpikmëri dhe në tërësi janë respektuar afatet e ndërtimit.

“Ligjet dhe procedurat janë zbatuar saktë, ndërsa opozita shumëfishon shifrat e investimeve për propagandë dhe sulme politike. Të veprat janë ndërtuar dhe po vazhdojnë të ndërtohen sipas afateve, ndërsa fondet për këto ndërtime janë disa herë më të ulëta nga ato që keqpërdor opozita” – theksoi zonja Felaj.

Të dyja palët e komisionit i bënë thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit që të thellojë hetimet për incineratorët bazuar edhe tek dokumentet e bollshme që u siguruan gjatë hetimit parlamentar.

SPAK arrestoi në mes të dhjetorit ish ministrin e mjedisit Lefter Koka nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, pastrim parash, korrupsion e rryshfete afro 3.7 milionë euro lidhur me projektin e koncesionit të impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan.

Ish ministri Koka i mohoi akuzat në sallën e gjyqit, duke u shprehur se kishte zbatuar vetëm ligjin. Madje avokati i tij deklaroi se momenti politik kishte ndikuar në veprimet e SPAK-ut.

Përveç ish ministrit Koka, dy urdhëra të tjerë arresti kanë dalë për administratoren e kompanisë që fitoi koncensionin e Elbasanit Stela Gugalla, dhe administratorin e kompanisë që kreu punimet, Klodian Zoto, i cili zotëron dhe 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

(Zëri i Amerikës)