Në Shqipëri, KLP shkarkon prokurorin Shkëlqim Kokona

Tiranë, 17 dhjetor 2021 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendoi sot të shkakojë nga detyra prokurorin e Pogradecit Shkëlqim Kokona “për shkelje të rënda profesionale, që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit”. Kërkesa për shkarkim ishte paraqitur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ILD) Artur Metani, pas një hetimi të nisur ga një informacion i Prokurorit të Përgjithshëm, për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim, si dhe për shkelje të normave etike nga ana e prokurorit Kokona.

Sipas një njoftimi të ILD-së “nga hetimi disiplinor mbi veprimtarinë e magjistratit në periudhën 2018-2021 u provua se magjistrati ka sjellje të përsëritur refuzuese në mosmarrjen në dorëzim të dosjeve; ka mospjesëmarrje të përsëritur në seanca gjyqësore; ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë dhe mosnxjerrje të urdhërave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim”.

Po ashtu sipas ILD-së, rezulton “e provuar se nga ana e magjistratit, ka patur shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e adminstratës së prokurorisë dhe të gjykatës”.

Inspektori ka vlerësuar në përfundim se sjelljet e prokurorit “kanë sjellë shkelje të rënda profesionale, diskretitim të pozitës dhe figurës së prokurorit, si dhe kanë cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

(Zëri i Amerikës)