Në Shqipëri, komisioni hetimor i Kuvendit propozon shkarkimin e Presidentit Meta

Tiranë, 28 maj 2021 – Komisioni hetimor i Kuvendit të Shqipërisë për Presidentin e Republikës, Ilir Meta, e miratoi sot raportin e hetimit trejavor, sipas të cilit Presidenti Meta duhet të shkarkohet nga detyra, sepse gjatë fushatës zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, siç thuhet, e ka shkelur rëndë Kushtetutën, me një deklaratash dhe veprimesh.

Raporti i Komisionit Hetimor pritet t’i kalojë Kuvendit, për shqyrtim dhe votim, pas njw jave.

Komisioni tha se në qëndrimet e presidentit Meta ka gjetur shkelje të rënda që kanë të bëjnë me rolin e tij si përfaqësues i unitetit kombëtar, paanshmërinë e tij politike, me rrezikimin e marrëdhënieve SHBA – Shqipëri, duke sulmuar ambasadoren amerikane dhe shumicën socialiste, duke u përfshirë drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore dhe nxitur dhunë dhe ndarje mes shoqërisë.

Në raport thuhet se presidenti ka përdorur thirrje luftarake, vetëgjyqësie, ka nxitur dhunën, duke shkelur paanësinë e tij në shërbim të opozitës.

Komisioni theksoi se presidenti ka rol ekuilibrues në jetën politike pa u përfshirë në garat partiake pa mbështetur njërin krah dhe as t’i kundërvihet palës tjetër.

Sipas raportit, presidenti bëri një fushatë zgjedhore kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj socialistëve.

Presidenti Meta nuk u paraqit para këtij komisioni për shpjegimet e tij, edhe pse u ftua dy herë atje, duke e quajtur antikushtetuese veprimtarinë e tij.

Në një nismë të mëparshme po për të njëjtin qëllim, zoti Meta u paraqit në komisionin e ligjeve për të dhënë shpjegime paraprake, ndërsa në këtë proces të dytë nuk u bë e mundur paraqitja e tij në fazën e parë të kërkesës për shkarkim.

Komisioni i Venecias deklaroi në rastin e parë se shkeljet e presidentit nuk ishin të asaj shkalle sa të justifikohej shkarkimi i tij. Më pas një vendim të ngjashëm mori edhe komisioni hetimor.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës reagoi përmes rrjeteve sociale lidhur me raportin e Komisionit hetimor.Ai tha se zoti Meta do ta ushtrojë detyrën e Presidentit deri në korrik të vitit të ardhshëm, duke theksuar se ai është i vetmi institucion në mbrojtje të Kushtetutës dhe të interesit kombëtar.

Ashtu sikurse edhe në deklaratat e mëparshme, zëdhënësi tha se puna e komisionit hetimor është farsë antikushtetuese që synon t’i mbulojë skandalet e zgjedhjeve.

Ai theksoi se presidenti nuk shqetësohet nga asnjë “vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore e Kuvendit njëpartiak, që përpiqet me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre”.

Shkarkimin e presidentit Meta e kërkuan 49 deputetë dhe tashmë në një kohë të shkurtër disajavore komisioni hetimor parlamentar paraqiti raportin në afatet e fundit të funksionimit të tij.

Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës parashikon që propozimi i sotëm i komisionit hetimor të miratohet në parlament nga së paku 94 vota deputetësh dhe më pas vendimi i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, të cilës i mbetet të thotë fjalën e fundit për këtë kërkesë.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)