Në Shqipëri, mbyllet fushata për zgjedhjet parlamentare

Tiranë, 23 prill 2021 – Në Shqipëri sot mbyllet fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që mbahen të dielën, më 25 prill.

Për katër javë me radhë drejtuesit e partive lëvizën në të katër cepat e Shqipërisë. Për kryeministrin Edi Rama, mandati i tretë për socialistët nevojitet që vendi, sipas tij, të bëjë një hap cilësor për të ardhmen e vet.

“Ne sot kemi përpara nesh projektet e shumë dëshiruara ndër vite, por tanimë të përgatitura, të financuara, me kompani nga më të mëdhatë e botës, për të futur në ekonominë tonë 10 miliardë eruo, për të hapur 4 porta nga deti, 4 porta nga qielli, dhe për t’i dhënë këtij vendi të beuar gjithë atë energji të madhe që vjen nga shumëfishimi i udhëtarëve, i vizitorëve i turistëve”, tha Rama.

Kryetari demokrat Lulzim Basha, nga ana tjetër, duke vizatuar një panoramë të zymtë të gjendjes, në të cilën, sipas tij, ndodhet Shqipëria, ka premtuar ndërhyrje të shumta thuajse në të gjitha drejtimet, duke u angazhuar për ulje taksash, ku në qendër është taksa e sheshtë 9 për qind, apo edhe financime të projekteve zhvillimore e subvencione të ndjeshme për disa sektorë të ekonomisë.

“Do të hapim së bashku rrugën dhe do të marrim përgjegjësi për 4 vite punë të palodhshme në shërbim të qytetarëve, të cilët me patjetër do të sjellin ndryshimin që kërkon dhe meriton çdo shqiptar, duke nisur me 100 ditët e para të qeverisjes, të cilat do të jenë 100 ditë intensive, të vështira por pa diskutim një sfidë që do ta kapërcejmë me sukses, për t’i dhënë shqiptarëve atë që meritojnë, shpresën, besimin, mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre në një Shqipëri që ecën përpara, një Shqipëri që po kështu ecën drejt integrimit europian. Sepse një nga zotimet tona të 100 ditëve të para mbetet hapja e negociatave me BE-në”, deklaroi kreu i PD-së.

Për zotin Basha, siç ai ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë fushatës, koha e kryeministrit Rama ka përfunduar.

“Nuk ka shqiptar që nuk e di më se e vetmja mënyrë për ndryshim është vota masive popullore për numrin 9. Dhe largimi përfundimtar i Edi Ramës nga skena politike. 8 vite dështim. 8 vite mjerim. Përgjigjen do ta marrin me votë në kutitë e votimit”, ka thënë ai.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama është përpjekur të minimizojë rolin e zotit Basha në krye të Partisë Demokratike si dhe të paraqesë bashkëpunimin e saj me LSI-në si dy anët e së shkuarës, madje e të keqes që, sipas tij, ato përfaqësojnë për vendin/

“Gjashtëdhjetenënta është numri i djallit. Votove nëntën të vjen gjashta, votove gjashtën të vjen nënta dhe shkon puna në djall, kur i thonë muhabetit. Merreni seriozisht! Nuk është lojë, është serioze dhe shiheni gjashtën kush e ka! Mona. Kush e ka nëntën? Luli. Rrotullohen ato pastaj dhe bëhet gjashtëdhjetenëntë dhe të del Iliri me Saliun”, u shpreh Rama, gjatë një takimi në Tiranë.

Pak ditë më parë në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, zoti Rama deklaroi se nëse nuk do ta marrë një mandat të qartë që do ta lejojë të qeverisë i vetëm, atëherë ai do të tërhiqet.

Për zotin Basha, gjithashtu, këto zgjedhje duket të jenë përcaktuese për drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokratike, pas disa humbjeve, edhe në garat për pushtetin vendor.

(Zëri i Amerikës)