Në Shqipëri nis punën Komisioni Hetimor për veprimtarinë e Presidentit Meta

Tiranë, 8 maj 2021 – Në Tiranë, nisi sot punën komisioni i posaçëm parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, para dhe gjatë procesit zgjedhor të muajit prill.

Parlamenti miratoi dje ngritjen e këtij komisioni, pasi një grup deputetësh kërkuan një javë më parë shkarkimin e Presidentit për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Komisioni me 9 anëtarë njoftoi në mbledhjen e parë se do të hetojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore nga ana e Presidentit gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore 2021. Drejtuesi i tij, Alket Hyseni, tha se Presidenti ka të drejtën për t’u shprehur në këtë komision, por edhe vetë komisioni ka të drejtën të thërrasë Presidentin në një dëgjesë, e cila është e domosdoshme.

Dy ditë më parë nuk u bë e mundur që komisioni i ligjeve dhe presidenti Meta të binin dakord për kohën e një seance dëgjimore. Presidenti Meta u shpreh se ishte i gatshëm të paraqitej në komisionin e ligjeve ditën e hënë, por kjo ishte përtej afateve kur parlamenti ekzistues mund të ngrinte një komision hetimor.

Zoti Meta deklaroi një javë më parë se nisma për shkarkimin e tij ishte një shashkë për të tërhequr vëmendjen e publikut nga vjedhja dhe blerja e zgjedhjeve të 25 prillit. Ai u shpreh i sigurtë se do të ishte në zyrën e Presidentit të Republikës deri në korrikun e vitit të ardhshëm, ndërsa komisioni hetimor pritet të ketë gati raportin e punës së tij brenda tre javësh.

(Ilirian Agolli,Zëri i Amerikës)  

Comment

*