Në Shqipëri, PS fiton në 5 bashki, Shtëpia e Lirisë fiton në Shkodër, PD askund

Tiranë, 7 mars 2022 – Në Shqipëri, ndërsa numërimi i votave të zgjedhjeve të pjesshme lokale që u zhvilluan të dielën po shkon dret fundit, Partia Socialiste rezulton të jetë fituese në Vorë, Rrogozhinë, Lushnje e Dibër. Ajo pritet të fitojë edhe në Durrës, ku ende nuk ka përfunduar ende numërimi, sepse kandidatja e PS-së prin me një diferencë të madhe ndaj rivalëve të saj. Vetëm në Shkodër, duket se do të dalë fitues kandidati i koalicionit Shtëpia e Lirisë të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Rezultati i zgjedhjeve për kryetar të bashkisë së Vorës u shpall qysh mbrëmë, pasi atje u aplikua votimielektronik. Kandidati socialist Blerim Shera mori 69.9 për qind të votave, kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Lulzim Vrana, i fitoi 24.3 për qind, ndërsa kandidati i PD-së, Ymer Marku, i mori vetëm 6.29 për qind.

Në Rrogozhinë, socialistët arritën të marrin 60.73 për qind të votave me kandidatin e tyre Edison Memolla, kandidati i PD-së, Ferdinand Saraçi, i mori 21.96 për qind, ndërsa kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Hekuran Xhani, i mori 17.31 për qind.

Lushnja është bashkia e tretë ku socialistët u rikonfirmuan me fitoren e kandidates së tyre Eriselda Sefa. Ajo arriti të marrë mbështetjen e 58.7 për qind të votuesve. I dyti doli Elton Bano i Shtëpisë së Lirisë me 30.8 për qind, kurse i treti është Indrit Sefa i PD-së me 10.4 për qind të votave

Në bashkinë e Dibrës arritën fitore të pastër socialistët. Kandidati i tyre Rrahim Spahiu doli i pari me 60 .87 për qind të votave. Pas tij ishte Shpëtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë me 19.46 për qind, kurse Luan Haka i PD-së i ka marrë 19.28 për qind të votave.

Partia Socialiste doli fitues edhe në bashkinë e Durrësit. Kandidatja e saj, Emirjana Sako, doli e para me 58.29 për qind. Në vend të dytë doli kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka me 29.75 për qind, ndërsa kandidati i PD-së, Luan Hoti, i mori vetëm 11.97 për qind.

Vetëm Shkodra, pavarësisht përçarjes së të djathtës, sërish ka zgjedhur t’i besojë po asaj. Në këtë bashki që historikisht është drejtuar nga e djathta doli fitues kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Bardh Spahia, me 43.7 për qind të votave. Pas tij mbetën kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni, me 39.5 për qind dhe kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Bushati, me 16.8 për qind të votave.

Ajo që bie në sy nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve është fakti se socialistët, në pesë bashkitë ku kanë fituar ose janë drejt fitores kanë siguruar më shumë se 58 për qind të votave, pra më shumë se dy kandidatët e të djathtës. Ky është tregues se përçarja e Partisë Demokratike i ka tronditur fort mbështetësit e dikurshëm të saj. Por, rezultati i këtyre zgjedhjeve i ka dhënë goditjen më të fortë PD-së dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha. Kandidatët e tij kanë marrë shumë më pak vota se kandidatët e ish kryeministrit Sali Berisha, përveç në Rrogozhinë dhe në Dibër, ku pati një diferencë shumë të ngushtë.

(r.m.)

One Response to “Në Shqipëri, PS fiton në 5 bashki, Shtëpia e Lirisë fiton në Shkodër, PD askund”

Read below or add a comment...

  1. THANAS L. GJIKA says:

    Fatkeqesisht populli shqiptar i Shqiperise akoma nuk ia di vleren VOTES, ai e shet ate per nje grusht paresh.