Në Shqipëri, rritet numri i viktimave dhe i pacientëve me COVID në spitale

Tiranë,14 shtator 2021 – Në Shqipëri, gjatë javës së fundit (7-13 shtator), numri i viktimave nga koronavirusi pësoi një tjetër rritje, ndërsa shtrimet në spitale u shtuan ndjeshëm, duke dëshmuar tendencën e një situate në përkeqësim. Rastet e reja patën një ulje të lehtë, e cila duket se i dedikohet më së shumti, reduktimit të testimeve.

Në 7 ditët e fundit, u rregjistruan 29 viktima, gati 21 përqind më shumë sesa java pararendëse, ose 5 vdekje më tepër. Vetëm në 24 orët e fundit, ministria e Shëndetësisë njoftoi 5 humbje jete: dy qytetarë nga Tirana 55 vjeç dhe 75 vjeç, një qytetar nga Elbasani 61 vjeç, një qytetare nga Fieri 72 vjeç, dhe një qytetar nga Shkodra 82 vjeç.

Paralelisht, të shtruarit në spitale u rritën me më shumë se 30 përqind. Nga 147 pacientë të cilët ndodheshin për trajtim të specializuar mjekësor të hënën më 6 gusht, këtë të hënë, ministria bëri të ditur se në spiatlet Covid po trajtohen 195 pacientë nga të cilët 15 në gjendje të rënduar. Bëhet fjalë për numrin më të lartë që pas mesit të muajit prill, kur pandemia ishte në kurbën rënëse.

Tani situata duket e përmbysur dhe Shqipëria duket se gjendet në mesin e një vale të re. Të dhënat e përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se gjatë javës së fundit, numri i rasteve të reja pesoi një rënie të lehtë me 3.8 përqind, duke zbritur në kuotën e 5937 të infektuarve. Por po gjatë kësaj jave, të martën e kaluar, pati 1079 raste të reja, kuota më e lartë ditore që prej muajit shkurt, kur pandemia shënoi pikun e saj.

Reduktimi i rasteve të reja, ngjan të jetë më shumë efekt i rënies së testimeve, të cilat gjatë javës së fundit u tkurrën me 8.3 përqind, duke zbritur në nivelin e 37.486 të tillave. Kjo dhe për faktin se në ndërkohë pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) u rrit me 0.7 pikë përqindje krahasuar me një javë më parë, duke u ngjitur ne 15.8 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Të dhënat e fundit të Ministrisë së shëndetësisë, tregojnë se në të gjithë vendin janë mbi 12.600 raste ende aktive.Mbi 41 përqind, ose 5236 raste janë vetëm në Tiranë. Tre qarqe të tjera, Shkodra, Durrësi dhe Fieri kanë ka mbi 1 mijë raste, ose të tria së bashku 29 përqind të totalit. Pjesa tjetër, ose 30 përqind e rasteve aktive janë nëpër 8 qarqet e tjera të vendit.

Sipas shifrave zyrtare në Shqipëri, 40.3 përqind e popullsisë mbi 18 vjeç, ose afro 897 mijë qytetarë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës antiCovid. Prej tyre mbi 704 mijë, ose 31.7 përqind kanë marrë të dyja dozat.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)