Në Shqipëri sekuestrohen rreth 430 kg kokainë, e fshehur në pleh artificial nga Kolumbia

Tiranë, 25 nëntor 2022 – Rreth 430 kilogramë kokainë, e cila ka qenë e fshehur në 24 tonë pleh organik artificial, është sekuestruar në fshatin Farkë e Madhe në Fier të Shqipërisë, u tha në konferencën për media të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), të mbajtur më 25 nëntor në Tiranë.

Kjo kokainë ka ardhur në Shqipëri nga Kolumbia, duke kaluar transit nëpër dy porte, të Greqisë dhe Malit të Zi. Vlera e saj, nëse do të dilte në treg, do të ishte rreth 40 milionë euro.

Hetimet janë realizuar mes autoriteteve shqiptare dhe malazeze, si dhe në bashkëpunim me agjenci të huaja ligjzbatuese, dhe kishin nisur në korrik të këtij viti.

Policia malazeze tha të premten se ky aksion në Mal të Zi u krye me kodin “Port”, nërsa në Shqipëri me kodin “Konsistenca”.

Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja dhe prokurori i rastit, Adnan Gjoli, thanë se janë kryer 14 kontrolle në disa qytete si Fier, Lushnje, Tiranë dhe janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa një tjetër është ende në kërkim.

Sipas burimeve të REL-it, bëhet fjalë për një shtetas kolumbian, por prokurori i rastit nuk e konfirmoi këtë, duke deklaruar se nuk mund të zbulojë më shumë detaje pasi ky informacion përbën sekret hetimor.

Prokurorët bënë të ditur se kompania që ka porositur plehun organik artificial në Kolumbi është krijuar në janar të vitit 2022, me qendër në Tiranë. Disa muaj më vonë, në maj, është siguruar ngarkesa e parë në Kolumbi dhe është nisur me anije drejt portit të Pireut në Greqi. Kjo ngarkesë ka mbërritur aty në fillim të muajit korrik.

Nga ky port, pas tri ditësh, është dërguar në portin e Tivarit të Malit të Zi. Në këtë kohë autoritetet shqiptare janë njoftuar nga pala malazeze për dyshimet që kishin se brenda ngarkesës me pleh organik artificial kishte kokainë. Në këtë mënyrë është bërë edhe “dorëzimi i kontrolluar”.

Policia e Malit të Zi, ka publikuar në Twitter në video, ku në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, sekuestron 430 kilogramë kokainë.

Sasia prej 24 tonësh pleh organik artificial ka hyrë në territorin shqiptar me kamion, është bërë zhdoganimi dhe është shpërndarë në disa zona në Shqipëri, mes së cilave edhe në Farkë të Madhe në Fier.

Grupi i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë edhe shtetas të huaj, kanë siguruar kokainën në Kolumbi, kanë bërë përzierjen me pleh organik artificial dhe kanë realizuar transportin në Shqipëri.

Prokurorët thanë se kanë identifikuar organizatorët, financuesit dhe transportuesit e lëndës narkotike.

Ata thanë se i kanë të dokumentuara pagesat që janë bërë për të gjithë këta persona, përfshirë edhe ata që kanë marrë në dorëzim kokainën, ata që do të kujdeseshin për magazinimin dhe ekstraktimin e kokainës nga plehu organik artificial, persona të specializuar për këtë proces në laborator.

Në këtë aksion, po ashtu janë sekuestruar më shumë se 15 mijë euro, bashkë me 6 armë zjarri, automatikë dhe pistoleta. Ky operacion po vazhdon ende.

Prokuroria nuk publikoi emrat e të arrestuarve, por burime nga policia konfirmojnë se mes të arrestuarve është edhe Viktor Çervanaku, i cili aktualisht mban post drejtori në OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Fier), ndërsa më herët ka qenë kryetar i Komunës Frakull në Fier.

Laboratori ku po përpunohej kokaina u zbulua në banesën e tij. Kompania që ka porositur plehun organik artificial në Kolumbi është në pronësi të vëllait të Viktor Çervanakut, Zenelit, gjithashtu i arrestuar.

Ky është rasti i dytë që zbulohet një laborator kokaine në Shqipëri.

Në vitin 2015 një i tillë u zbulua në Xibrakë të Elbasanit, ku u arrestuan edhe dy shtetas kolumbianë, kimistë që nxirrnin sasitë e kokainës së përzier në lëndë kimike të lëngshme, të importuara nga Kolumbia.

(Jetmira Delia-Kaci, REL)