Në Shqipëri, shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano

Tiranë, 31 gusht 2022 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, është shkarkuar nga kjo detyrë. Policinë e Shtetit do ta drejtojë përkohësisht nëndrejtori i deritashëm, Tonin Vocaj.

Vendimi për shkarkimin e Nanos është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka thënë se ky vendim është marrë pasi z. Nano nuk i ka përmbushur objektivat.

“Sot qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushjen e objektivave që kishim vënë në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit. Për momentin, detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë dhe shumë shpejt besoj që do t’ju lajmërojmë dhe për emërimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit”, ka deklaruar Çuçi.

I pyetur nëse me këtë vendim do të zgjidhej situata e krijuar në vend, ndërsa zinxhiri i Policisë Kufitare në Vlorë, për të cilin u tha se u shkarkua pas ngjarjes në Himarë, është rikthyer sërish në detyrë, Çuçi ka thënë edhe kjo ështëndër arsyet për shkarkimin e Nanos.

“Puna do jetë e gjithanshme, por këto që përmendët kanë qenë ndër arsyet kryesore që nga Policia e Shtetit dhe nga drejtuesi i Policisë së Shtetit kërkohet një reagim më i fortë ndaj këtyre fenomeneve dhe një menaxhim më efikas”, ka thënë ai.

Tri ditë më parë në media u raportua se Gledis Nano kishte dhënë dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Por, ai vetë deklaroi se nuk ishte dorëhequr dhe as nuk e kishte ndërmend ta bënte këtë.

“Nuk kam dhënë dorëheqje. Nuk e kam ndërmend të dorëhiqem”, kishte thënë ai.

Gledis Nano ishte emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në tetor të vitit 2021, në vend të Ardi Veliut.

(r.m.)