Në Shqipëri, shqetësime për depërtimin e parave të pista në ekonomi

Shqipëria ka mangësi në luftën kundër pastrimit të parave dhe ndodhet në listën gri të Maneyval, një strukturë e Këshillit të Europës për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave. Ky organizëm i kërkon qeverisë shqiptare përmirësime në disa fusha që lidhen me uljen e informalitetit dhe monitorimin e parasë kesh në ekonomi. Ekspertët, bazuar në disa të dhëna indirekte, ngrenë dyshime se në disa sektorë, si ndërtimi apo tregu i pasurive të paluajtshme, pastrohen para. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave, në një përqindje të lartë të rasteve të identifikuara nuk dihet origjina e parave të pista dhe në 30% të rasteve që dihen ato vijnë nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Shqipëria është renditur nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, një strukturë e përhershme e Këshillit të Europës, e njohur me emrin MONEYVAL, në listën e vendeve që kanë mangësi në luftën kundër pastrimit të parave. Ndërsa sipas Departamentit amerikan të Shtetit “Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare, me një ekonomi të madhe të parasë në dorë (kesh) dhe sektor informal të gjerë”. Sipas statistikave të autoriteteve të paradalimit të pastrimit të parave në 5 vitet e fundit në 67% të rasteve nuk dihet origjina e parave, dhe në 30% të rasteve që dihen, paratë vijnë nga trafikimi i lëndëve narkotike, që pasohet nga mashtrimi, korrupsioni kryesisht pasiv dhe shpërdorimi i detyrës.

Bazuar në disa analiza ekspertët ngrenë dyshime se një pjesë e mirë e parave të pista investohen në sektorë me ndikim në ekonomi si ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme. Edhe në raportin e Drejtorisë së parandaimit të pastrimit të parave për vitin 2020, vihet re se nga raportimi i akviteteve të dyshimta mbizotërojnë tipologjitë që lidhen me blerje të pasurive të paluajtshme, transferta të dyshimta etj.

Sektori i ndërtimit është nga sektorët kryesorë të ekonomisë, duke zënë në 5 vitet e fundit rreth 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Gjatë vitit të kaluar, si pasojë e krizës së shaktuar nga Pandemia e Covid-19, ndërsa ekonomia e vendit ra, sektori i ndërtimit shënoi një rritje të lehtë me 1.62% dhe ai i tregut të pasurive të paluajtshme u rrit ndjeshëm me 6.7%.

“Si është e mundur kur shumë sektorë të tjerë si bujqësia apo turizmi jetik për vendin, arritën të zvogëloheshin dhe ishin në kushtet e mbijetesës, ndërsa sektori i pasurive të paluajtshme pati një rritje. Ky është një indikator, që tregon faktin se këto ndërtime po përdoren si një mënyrë e paligjshme e parkimit dhe e ruajtjes së parave të pista”, thotë për Zërin e Amerikës Fatjona Mejdini Kordinatorja e Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, për Ballkanin.

Por edhe pse në raportet e Drejtorisë së Paradalimit të Pastrimit të Parave, tregu i pasurive të paluajtshme veçohet me risk për pastrimin e parave, zyrtarët i hedhin poshtë këto argumenta duke sjellë një qasje tjetër. Rritjen e tij ata e lidhin me disa politika favorizuese të bankave, që sipas tyre i shtyn qytetarët në blerjen e pasurive të paluajtshme përmes kredive.

“Nuk duhet të bëjmë gabimin që të lidhim ecurinë e disa tregjeve që kanë faktorë të tjerë kryesor makro që ndikojnë në to, me ecurinë e parasë kriminale. Për paranë kriminale ne nuk kemi kontabilitet që të mbajmë shënim, sa para krimianle është futur dhe ka lëvizur. Bankat kanë ulur interesin që aplikojnë për kredidhënien dhe për njerëzit është më e lirë të blejnë pasuri të patundshme. Dhe po të shohësh trendin për kredidhënie për pasuri të patundshme, me tregun e pasurive të patundshme, kanë një korrelacion të lartë dhe ai është faktori bazë që ndikon”, tha për Zërin e Amerikës, Drejtori i Drejtorisë së paradalimit te pastrimit të parave Elvis Koçi.

Pas një moratoriumi gati dy vjeçar për bllokimin e lejeve të ndërtimit që u hoq në vitin 2016 sektori i ndërtimit pësoi një hov. Sipërfaqja e ndërtimit u dyfishua në vitin 2020, në 1 milion e 600 mijë metra katror krahasuar me vitin 2017.

Sipas ekspertëve edhe pse sipërfaqet e ndërtimit rriten, duke rritur ofertën në treg, kjo nuk është shoqëruar me uljen e çmimit. Çmimet e banesave në Shqipëri vijojnë të mbeten më të lartat në kontinent në raport me të ardhurat, kryesisht në kryeqytet. Nga ana tjetër kostot sipas INSTAT janë disa herë më të ulëta, se çmimi i shitjeve.

“Shikoni të gjitha ndërtimet e larta në Tiranë, kanë çmime shitje 2 mijë deri ne 4 mijë euro metro katror, për hapësira banimi. Të mos harrojmë një gjë, të gjithë të pasurit shqiptar, ata që vijnë nga biznese të ekonomisë së ligjshme nuk preferojnë të marrin apartamente në mes të Tiranës, por kanë blerë vila jashtë kryeqytetit. Kjo do të thotë se e gjithë kjo sipërfaqe e madhe jo vetëm për banim por edhe për zyra, në qendër të Tiranës me këto çmime, nuk bën asnjë sens ekonomik”, pohon për Zërin e Amerikës Neritan Sejamini, ekspert për ekonominë.

Fatjona Mejdini kordinatore e Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, për Ballkanin, bazuar në disa të dhëna, ngre dyshime se çmimet e larta të pasurive të paluajtshme aplikohen për të parkuar paratë e pista.

“Në Shqipëri 70% e popullsisë merr një pagë që nuk e kalon shifrën 50 mijë lekë në muaj. Për këtë arsye të gjitha këto ndërtime që ne shohim, jo vetëm në Tiranë por edhe në bregdet, në fakt nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar, se një pjesë e tyre financohen nga paratë e paligjshme”, vijon Fatjona Mejdini Kordinatorja e Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, për Ballkanin,

Autoritetet zyrtare e pranojnë mungesën e efektivitetit në uljen e informalitetit dhe qarkullimin e parasë kesh në ekonomi, ndaj dhe nënvizojnë nismat e ndërrmara në Kuadër të rekomandimeve të Manyval, për implementimin e fiskalizimit, vijimin e dixhitalizimit të kadastrave, rregullimin e fushës ndërmjetëse të pasurive të palujatshme, ndryshime në ligjin për noterinë si dhe rritjen e transparencës nga bizneset dhe organizatat joqeveritare.

Sipas një raporti të Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave që nga viti 2016 janë bllokuar nëpër banka mbi 55 milionë euro që dyshohet se i përkasin botës së krimit. Por sasia e parave të bllokuara ka ardhur në rënie nga viti në vit. Nga rreth 29 milionë euro në vitin 2016 në pak më shumë se 1 milion vitin e kaluar. I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse mund të quhet sukses apo dështim rënia e shumës së bllokimeve, Drejtori i Drejtorise së Parandalimit të Pastrimit të Parave thotë se nuk ka një analizë për këtë, pasi insitucioni që ai drejton, shqyrton vetëm rastet e dyshimta që raportohen nga vetë Bankat. Ai sqaron se mjaft prej transfertave ato mund t’i kenë mënjanuar pa qenë nevoja t’i raportojnë.

“Ka ardhur në rënie sepse aq ka patur. Sa raportohen dhe vërtet ka dyshime ne i bllokojmë dhe i lëmë mundësi prokurorisë të vendosë sekuestro. Këto shifra kur shohim pastaj konfiskimet janë shumë më të ulëta. Më mirë bllokon ato që pritet të shkojnë në konfiskime se sa të tjera”, thotë Drejtori i Drejtorisë së paradalimit te pastrimit të parave Elvis Koçi.

Drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave merr në vit afro 1 mijë e 400 raportime për aktvitete të dyshimta dhe referon në polici dhe prokurori rreth 20% -30% të tyre. Në vitin 2020 ajo referoi 34% më pak raste se 5 vjet me parë. Autoritetet e shpjegojnë këtë rënie me rritjen e cilësisë së dosjeve që dërgohen në këto organe.

Një prej shqetësimeve kryesore që ata kanë lidhet me hetimin dhe gjykimin e veprave penale të pastrimit të parave.

“Thembra Akilit është ajo që ka të bëjë me rekomandimin për hetimin dhe dënimin e personave që kryejnë vepra penale të pastrimit të parave. Ka hetime por ato nuk arrijnë të shkojnë në një përqindje të lartë në gjykatë, dhe numri i dëmimeve duhet të përmirësohet”, shprehet Drejtori i Drejtorisë së Paradalimit te Pastrimit të Parave Elvis Koçi.

Zëri i Amerikës ju drejtua dhe Prokurorisë së përgjithshme për një reagim lidhur me këto deklarata. Ajo i shmangu komentet e drejtpërdrejta dhe tha se të gjitha analizat përfshi dhe ato për veprat penale të pastrimit të parave, janë të pasqyruara në raportet vjetore. Klodiana Lala gazetare për çështje të rendit dhe drejtësisë thotë se hetimet për këto vepra paraqesin mjaft vështirësi.

“Jënë hetime të vështira sepse paratë që pastrohen vijnë kryesisht nga trafiku i drogërave të forta që kryhet në disa vende të BE. Dhe duke qenë se aktiviteti i trafikantëve shqiptar është i vendosur atje dhe paratë pastrohen në Shqipëri, padiskutim që nevojitet një bashkëpunim i fortë institucional dhe ndërkombëtar”, tha për Zërin e Amerikës Klodana Lala, gazetare për çështje të rendit dhe sigurisë.

Pesha specifike e veprave penale të pastrimit të parave kundrejt numrit total të proçedimeve të regjistruara në shkallë vendi është 1.03%. Në 5 vitet e fundit 9% e dosjeve dhe 68% e të pandehurve të proçeduar janë dërguar në Gjykatë, ku janë dënuar mbi 50% e tyre. Për ekspertët këto shifra e vendosin luftën kundër pastrimit të parave në një nivel të ulët në raport me shqetësimin në rritje që nënvizohet nga qeveritë e vendeve perëndimore dhe në raportet e ndryshme ndërkombëtare të organizatave prestigjoze që monitorjnë krimin e organizuar ndërkombëtar.

(Mimoza Picari, Zëri i Amerikës)

Comment

*